Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shenzhen me homologun e tij kilian Jose Antonio Kast, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.
Presidenti Xi Jinping vuri në dukje se Kili është vendi i parë i Amerikës Jugore që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kinën, duke shtuar që marrëdhëniet kino-kiliane u kanë bërë ballë sfidave ndërkombëtare dhe kanë ruajtur një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm afatgjatë.
Xi theksoi më tej që Kina dhe Kili duhet të vazhdojnë mbështetjen e ndërsjellë në çështjet që përfshijnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të të dyja palëve. Kina dhe Kili kanë struktura ekonomike plotësuese dhe një themel të thellë bashkëpunimi. Të dy vendet duhet të forcojnë ndërthurjen e strategjive të tyre të zhvillimit nëpërmjet ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë”, duke promovuar bashkëpunimin tradicional në tregti, energjetikë, industrinë minerare, infrastrukturë dhe astronomi, duke zgjeruar ndërkohë bashkëpunimin në fusha të reja, si inteligjenca artificiale, kërkimet polare dhe eksplorimi i thellësive detare. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kilin brenda mekanizmave shumëpalësh, si APEC-u, për të forcuar së bashku multilateralizmin dhe për të vepruar si mbrojtëse të interesave të përbashkët të vendeve në zhvillim. Kina është gjithashtu e gatshme të punojë me vendet e Amerikës Latine për t’i dhënë më shumë siguri paqes dhe zhvillimit në këtë rajon, duke promovuar bashkëpunimin Kinë-Amerikë Latine.
Nga ana e tij, presidenti Jose Antonio Kast u shpreh se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kilit dhe Kinës, pavarësisht ndryshimit të situatës ndërkombëtare, marrëdhëniet dypalëshe kanë ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm. Kina është partnerja e parë tregtare dhe destinacioni më i madh i eksportit të produkteve bujqësore dhe minerare të Kilit për shumë vjet me radhë dhe bashkëpunimi me Kinën ka sjellë mundësi të mira për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kilit. Pala kiliane i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine” dhe është e gatshme të thellojë marrëdhëniet e miqësisë së mirë me palën kineze, të zgjerojë përmasat e bashkëpunimit në fushat e tregtisë dhe të investimeve, duke forcuar bashkëpunimin dypalësh në bujqësi, industrinë minerare, automjetet me energji të re, ndërtimin e infrastrukturës, inteligjencën artificiale etj. Pala kiliane është gjithashtu e gatshme të punojë me palën kineze për të forcuar bashkëpunimin në kornizat shumëpalëshe, duke përfshirë APEC-un etj., për të mbrojtur multilateralizmin dhe tregtinë e lirë e për të nxitur paqen dhe zhvillimin e botës.

