Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka ratifikuar Marrëveshjen me Shqipërinë për zbatimin e sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop Shop”, i cili synon të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, ka bërë të ditur se marrëveshja përfshin pesë vendkalime kufitare: Qafë Thanë, Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
Sipas saj, të pesë vendkalimet parashihet të funksionojnë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, sipas modelit të kontrolleve të përbashkëta kufitare.
Katër vendkalimet e para do të shërbejnë për qarkullimin ndërkombëtar të qytetarëve dhe mallrave, ndërsa Xhepisht–Trebishti për qytetarët dhe mjetet e vogla të transportit.
Azizi theksoi se pas funksionalizimit të sistemit “One Stop Shop” me Kosovën, tashmë i njëjti model po zbatohet edhe me Shqipërinë, me synimin për më pak pritje dhe lëvizje më të lehtë ndërmjet dy vendeve.
“Me Kosovën e nisëm, me Shqipërinë po e përmbyllim: më pak barriera, më pranë njëri-tjetrit”, ka shkruar Azizi.

