Ish-inspektori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Milan Radoiçiq është larguar nga territori i Serbisë dhe ka shkuar në Rusi.
Duke folur në televizionin N1, Zvezdanoviq tha se këtë informacion e ka marrë nga burime brenda BIA-s.
I pyetur nëse Radoiçiq është larguar me leje apo ilegalisht, ai u përgjigj se në pushtet vazhdon të jetë Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe se, sipas tij, Radoiçiqit nuk i është dashur leje për t’u larguar.
Zvezdanoviq pretendoi gjithashtu se largimi i tij ka shqetësuar edhe një pjesë të drejtuesve të BIA-s, të cilët, sipas tij, kishin pasur lidhje biznesore dhe kriminale me Radoiçiqin.
Kujtojmë se me vendim gjykate, Radoiçiqit i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte ndaluar largimi nga Serbia. Ai kishte detyrim të paraqitej rregullisht në polici.
Ndërkohë, N1 ka kërkuar nga Gjykata e Lartë, që më 29 tetor, informacion nëse Radoiçiq po e respekton detyrimin e paraqitjes në polici, por deri në publikimin e lajmit nuk kishte marrë përgjigje.

