Kisha nderin dhe kënaqësinë që sot, në Kuvend, të mirëpres drejtorin e përgjithshëm të IRI-së për Evropë dhe Euroazi, Steven Nix, si dhe drejtorin rezident të programeve të IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Paul Prososki. Në këtë takim, ata shoqëroheshin nga zëvendësdrejtoresha e IRI-së për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, Biljana Ljubiç, si dhe përfaqësuesja dhe ekspertja për Maqedoninë e Veriut pranë IRI-së, Ana Alibegova.
Me Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI) kemi ndërtuar ndër vite një bashkëpunim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm, për të cilin jemi sinqerisht mirënjohës. Mbështetja e vazhdueshme e IRI-së për Bashkimin Demokratik për Integrim ka qenë dhe mbetet me vlerë të veçantë në avancimin e organizimit tonë, forcimin e strukturave partiake, zhvillimin e kapaciteteve dhe pasurimin e ofertës sonë programore.
Bashkëpunimin me partnerët tanë amerikanë e vlerësojmë si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, zhvillimin e kulturës politike dhe ndërtimin e një partie moderne, me kapacitete më të avancuara organizative dhe programore, të gatshme për të ofruar performancë edhe më cilësore në skenën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mirënjohës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme!


