Erërat e forta që kanë përfshirë komunën e Deçanit gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme në disa vendbanime.
Kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj, ka thënë se ekipet emergjente komunale kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës për të menaxhuar situatën dhe për të intervenuar në rastet e nevojshme.
Sipas tij, komuna e Deçanit i ka ofruar mbështetje edhe KEDS-it për intervenimin dhe riparimin e shtyllave elektrike të dëmtuara nga erërat e forta, përveç ekipeve të NPL “Higjiena” dhe njësisë së zjarrfikësve që po vazhdojnë të jenë në terren.
Ndër zonat ku janë raportuar dëmtime përfshihen fshatrat Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc dhe Gramaçel, si dhe vendbanime të tjera ku paraqitet nevoja për intervenim.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha ekipet përgjegjëse, me qëllim që çdo situatë të trajtohet sa më shpejt”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.
Dëme materiale si pasojë e erërave të forta janë raportuar edhe në Rahovec.
Irfan Berisha – Drejtor i Drejtorisë për Emergjenca ka bërë të ditur për KOHËN se kulmi i një shkollë fillore të fshatit Kramovik të Rahovecit është dëmtuar si pasojë e erërave të forta.
Sipas tij, ndonëse fëmijët kanë qenë brenda shkollës, nuk ka të lënduar si pasojë e këtij dëmtimi.
“Era e fuqishme shkul nga vendi mbulojën e çatisë së shkollës në Kramovik. Ju bëj apel që të keni kujdes dhe të shmangni çdo lëvizje të panevojshme”, thuhet në faqen e fshatit në Facebook.
Komuna ka bërë thirrje për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin qëndrimin pranë objekteve të pasigurta, drunjve dhe elementeve të tjera që mund të dëmtohen nga era.
Edhe komuna e Drenasit ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta, janë shkaktuar dëme në disa objekte, duke paraqitur rrezik për sigurinë e qytetarëve.
“Në rrugën “Adem Mulaj”, në afërsi të parkingut, një pjesë e kulmit të një ndërtese është shkëputur dhe ka rënë. Po ashtu, te objekti i çerdhes së vjetër, është vërejtur dëmtim serioz i kulmit, me rrezik që pjesë të tij të shkëputen”, thuhet në njoftimin e komunës.
Tutje u është kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes e të shmangin qëndrimin pranë objekteve të dëmtuara dhe të mos parkojnë automjetet në hapësirat ku ekziston rreziku i rënies së materialeve nga kulmet.

