Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në garazhin nëntokësor të qendrës tregtare “KAM Mall”, në lagjen “Gjorçe Petrov” të Shkupit, duke shkaktuar përhapjen e tymit të dendur në objekt.
Sipas informacioneve të publikuara, pas shpërthimit të zjarrit janë aktivizuar alarmet kundër zjarrit, ndërsa vizitorët janë evakuuar për arsye sigurie.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe pjesëtarë të policisë, të cilët kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës. Policia ka asistuar gjithashtu në nxjerrjen e automjeteve nga garazhi nëntokësor.
Sipas dëshmitarëve, automjeti i përfshirë nga flakët është i tipit “Fiat Punto”, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura.
Deri në këto momente nuk ka informacione për persona të lënduar. Priten të dhëna shtesë nga institucionet kompetente lidhur me rrethanat e incidentit.

