Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka zhvilluar një takim me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ku në fokus të diskutimit kanë qenë zhvillimi i karrierës, aftësimi profesional dhe përgatitja për sfidat e tregut të punës.
Gjatë takimit, Ferati ka diskutuar me studentët edhe për çështje konkrete që i shqetësojnë ata, përfshirë provimin e jurisprudencës.
“Përkushtimi, dija dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional janë çelësi për suksesin tuaj të ardhshëm”, ka theksuar Ferati.
Ai ka vlerësuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me studentët dhe të trajtimit të çështjeve që ndikojnë në përgatitjen dhe perspektivën e tyre profesionale.

