Analisti dhe publicisti Sadri Ramabaja ka ngritur pikëpyetje rreth rolit dhe ndikimit të gazetarit Baton Haxhiu në zhvillimet politike në Kosovë, duke argumentuar se veprimtaria e tij publike shkon përtej kritikës ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ramabaja, përmes një shkrimi, ka theksuar se Haxhiu nuk duhet parë vetëm si një gazetar që ka zgjedhur të jetë kundër Kurtit, por si një figurë me ndikim në politikë, media dhe biznes në hapësirën shqiptare.
“Baton Haxhiu nuk është thjesht një gazetar që ka zgjedhur të jetë kundër kryeministrit të Republikës, z. Albin Kurti. CV-ja e tij flet shumë, mbi të gjitha ajo dëshmon për një figurë me ndikim shumë më të gjerë në politikën, median dhe biznesin e hapësirës shqiptare”, ka shkruar Ramabaja.
Ai ka përmendur angazhimin e Haxhiut në disa prej mediave më të njohura shqiptare, duke përfshirë drejtimin e “Koha Ditore”, Klan Kosovës dhe Albanian Post.
Sipas Ramabajës, Haxhiu ka qenë gjithashtu një prej zërave të pranishëm në debatet publike lidhur me raportet Kosovë–Serbi, si dhe në diskutimet rreth projekteve rajonale dhe marrëdhënieve politike Shqipëri–Serbi.
Ramabaja është ndalur veçanërisht te deklarata e Haxhiut se “nuk ka pushtues që mund t’i ketë bërë Kosovës më dëm se ky kryeministër”.
Ai ka ngritur pyetjen nëse kjo deklaratë duhet parë vetëm si qëndrim kritik ndaj Kurtit apo nëse përmes saj po artikulohet një agjendë më e gjerë politike.
“Prandaj, kur ai deklaron se ‘nuk ka pushtues që mund t’i ketë bërë Kosovës më dëm se ky kryeministër’, pyetja nuk është vetëm çfarë mendon Haxhiu për Kurtin? Pyetja më serioze është: çfarë agjende politike po artikulohet përmes tij?”, ka shkruar Ramabaja.
Në këtë kontekst, ai ka rikujtuar edhe qëndrimet e mëhershme publike të Haxhiut lidhur me idenë e “korrigjimit të kufijve”, si dhe deklaratat për nevojën që të merret parasysh edhe pozicioni i presidentit serb, Aleksandar Vučić.
Sipas Ramabajës, këto qëndrime ngrenë diskutimin nëse bëhet fjalë vetëm për gazetari apo për një formë të gazetarisë së angazhuar politikisht.
“Nëse kjo është gazetari, atëherë, e vetëkuptueshme, duhet të quhet gazetari e angazhuar, pra politike. Nëse është më shumë se gazetari, publiku ka të drejtë të kërkojë transparencë: kujt i shërben kjo strategji dhe kush e harton atë?”, ka deklaruar ai.
Në fund, Ramabaja ka thënë se në politikë nuk duhet parë vetëm kush flet dhe çfarë thotë, por edhe kujt i shërbejnë deklaratat dhe narrativat e artikuluara.
“Sepse në politikë, nuk mjafton të shikosh kush flet dhe çfarë thotë. Duhet të shikosh edhe kujt i konvenon ajo që thuhet”, përfundon Ramabaja.

