Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se do të nisë grevë urie nëse dikush tenton ta arrestojë, duke pretenduar se në atë rast një milion njerëz do të dilnin në rrugë. Në një paraqitje në televizionin “Pink”, ai tha se nuk ka ndërmend të arratiset apo të fshihet.
Duke folur për Listën Studentore dhe mundësinë e arrestimit të tij, Vuçiqi akuzoi kundërshtarët politikë se duan t’u bëjnë keq njerëzve që i urrejnë.
Vendimi për zgjedhjet presidenciale më 13 dhjetor
Vuçiqi njoftoi se Partia Përparimtare Serbe (SNS) më 13 dhjetor, në kuvendin partiak, do të vendosë nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale.
Ai tha se personalisht anon më shumë nga qëndrimi që partia të mos marrë pjesë në zgjedhje, pasi nuk dëshiron t’u japë legjitimitet kundërshtarëve politikë.
“Pse do ta bënim këtë, kur njerëzit tanë po ndiqen, keqtrajtohen dhe ngacmohen? Është plotësisht e mundur që partia të marrë edhe një vendim tjetër”, tha ai.
Duke folur për humbjen zgjedhore, Vuçiqi vlerësoi se SNS-ja mund ta përmirësojë rezultatin në zgjedhjet e ardhshme, por paraprakisht duhet të ndryshojë, t’i pranojë gabimet e veta dhe të bëjë një analizë objektive të vetvetes.
Pretendon se ka marrë kërcënime nga klani i Vraçarit
Gjatë së njëjtës paraqitje televizive, Vuçiqi pretendoi se një ditë më parë kishte marrë kërcënim me vdekje nga i ashtuquajturi klani i Vraçarit.
Ai tha se nuk do t’i raportonte kërcënimet në polici, pasi nuk kishte besim në të. Madje, akuzoi se policia ishte marrë nën kontroll nga “strukturat e rrugës dhe Lista Studentore”.
“Nuk kam çfarë t’u raportoj, jo vetëm sepse nuk kam besim tek ata, por edhe sepse e di se për kë punojnë këta njerëz”, tha Vuçiqi.
Ai shtoi se mesazhi që kishte marrë ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë dhe se i ishte kërcënuar likuidimi.

