Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të shkollës “Kongresi i Manastirit”, një institucion arsimor projekti i të cilit nisi në vitin 2006, gjatë mandatit të tij të parë në krye të komunës.
Me këtë rast, Mexhiti kujtoi fillimet e projektit, duke theksuar se shkolla u konceptua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të arsimimit për nxënësit shqiptarë në Çair.
Ai rikujtoi se në atë kohë nxënësit mësonin në kushte të përkohshme dhe në baraka, ndërsa synimi ishte ndërtimi i një shkolle moderne, që do të ofronte kushte dinjitoze për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.
Mexhiti theksoi se viti 2006 shënoi një periudhë të rëndësishme edhe për afirmimin e identitetit kombëtar në Shkup, duke përmendur vendosjen e shtatores së Skënderbeut dhe nismat e mëvonshme për emërtimin e shkollave dhe rrugëve me emra të personaliteteve historike shqiptare.
Sipas tij, këto projekte ishin pjesë e një vizioni më të gjerë për ndërtimin e një Çairi modern, i cili krahas zhvillimit urban dhe arsimor, ruan dhe promovon historinë, identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.
“Shkolla ‘Kongresi i Manastirit’ kishte një domethënie të veçantë, sepse synimi nuk ishte vetëm t’u krijonim fëmijëve kushte më të mira për arsimim, por edhe t’i rrisnim me dije dhe me vetëdijen se kush janë, nga vijnë dhe çfarë trashëgimie mbartin”, theksoi Mexhiti.
Ai vlerësoi se sot, pas dy dekadash, shkolla përfaqëson një histori suksesi, me mijëra nxënës që kanë kaluar nëpër bankat e saj dhe me një institucion që vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në edukimin e gjeneratave të reja.
Në fund, Mexhiti uroi përvjetorin e shkollës, duke shprehur krenarinë që një projekt i nisur para 20 vitesh sot është shndërruar në një institucion me identitet dhe traditë.
“Uroj që kjo histori të vazhdojë me edhe më shumë suksese dhe gjenerata të reja!”, ka përfunduar Mexhiti.

