Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi ka reaguar ashpër ndaj Ali Ahmetit lidhur me çështjen e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke i kujtuar se gjatë 22 viteve të qeverisjes së BDI-së, Ministria e Drejtësisë u drejtua nga tetë ministra shqiptarë, por asnjëri prej tyre nuk arriti ta zgjidhë këtë çështje.
Azizi thekson se edhe në periudhën kur BDI kishte gjysmën e Qeverisë, nuk u bë asnjë hap për realizimin e kësaj të drejte, ndërsa sot, kur provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale po mundësohen në gjuhën shqipe, Ali Ahmeti kërkon të marrë meritat dhe të paraqitet si mbrojtës i të drejtave shqiptare.
“Me 8 ministra të Drejtësisë nuk e bëre Jurisprudencën shqip! A ka tradhti më të madhe se kjo, z. Ahmeti?”, shprehet Azizi.
Ai e akuzon kreun e BDI-së për hipokrizi politike, duke theksuar se është e papranueshme që një çështje e pazgjidhur për më shumë se dy dekada të shndërrohet sot në kauzë politike nga ata që patën pushtetin dhe mundësinë për ta realizuar.
Në fund, deputeti i VLEN-it i drejton një mesazh të drejtpërdrejtë Ahmetit, duke theksuar se për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve tashmë ka kush të merret.
“Ik tani, hap krahun, sepse ka kush merret me Provimin e jurisprudencës, me gjuhën shqipe dhe me të gjitha çështjet që nuk i bëre për 22 vjet”, përfundon Azizi.

