Kryeministri Edi Rama ka ndarë një qëndrim të radhës lidhur me gjendjen e drejtimit të Bashkisë Tiranë, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet prej më shumë se 18 muajsh në burgun e Durrësit.
Në një video-postim në rrjetet e tij sociale, ku njoftonte një intervistë me Rudina Xhungën, Rama u shpreh se bashkia është pa kokë.
Rama e cilësoi si një eksperiment social, politik dhe ekonomik atë që po ndodh në bashkinë më të madhe të vendit.
“Bashkia nuk ka kokë. Domethënë është një eksperiment social, politik dhe ekonomik, që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”,-tha Rama.
Më tej në videon e postuar në FB, Rama shprehet se, “ai ishte një talent, talent i madh politik, por që nuk e mbajti dot peshën e pushtetit. Pushteti është një kafshë e përbindshme”,- shprehet KM. Kjo deklaratë duket se i referohet Erion Veliajt.
Deklarata e Ramës vjen në vazhdën e një sërë zhvillimesh të ditëve të fundit, ku Erion Veliaj ka ndërmarrë një inkursion politik në bashki duke shkarkuar nga detyra të gjithë njerëzit e Ramës dhe Ballukut, ç’ka ka ngritur dyshimin se është një presion ndaj Gjykatës së Lartë për të përfituar lirimin më datë 15 shtatur kur do të mbahet edhe seanca e radhës.

