Janë pamje të një karroce e cila personit po i nevojitet për të bartur familjarin e shtrirë në Klinikën Interne.
Një rrotë po i mungon e nuk është aspak stabile, pa përmendur faktin se rrallëherë e gjenin për përdorim në Klinikën e Gastroenterologjisë.
DEK: Familjar i një pacienti në Klinikën Interne vijoi se “karrocat kanë qenë tmerr, në gjendje tepër të keqe të cilat nëse jam i sinqertë është turp edhe të barten pacientat, është mundësi edhe me i lëndu ngase janë në gjendje të keqe. Një ka qenë e mirë dhe atë, dy herë më rastisti këtë javë me qëndru këtu, pas dy dite më s’ka qenë në repart. Ku ka mbet se di.
Familjari që nuk deshi të identifikohet tregon se ata vet e kanë siguruar edhe terapinë e kërkuar për trajtim.
Familjar i një pacienti në Klinikën Intern tha se “Ka qëndru një javë. Shërbimi ka qenë i mirë por kushtet kanë qenë jo të duhura duke nisur prej atyre higjenike. S’ka pas as letra higjenike, i kemi siguru vet. Për barna spo flas, vet jemi detyruar t’i sigurojmë se nuk i ka siguruar klinika. Ka qenë tejet e vështirë sepse jemi detyruar dy familjar të qëndrojmë si shkak i nevojave fiziologjike, me dërgu deri në tualet e me kthy. Na e ka vështirësu punën sa s’thuhet, infermieret e kanë këtë punë”.
E nga përvojat gjatë qëndrimit, ai thotë se nuk ishte i vetmi që hasi në vështirësi e ankesë nuk ka bërë sepse nuk ka shpresë për përmirësim.
Familjar i një pacienti në Klinikën Interne deklaroi se “Dy djem të ri nanën e vet janë detyru me e bartë në klinikë tjetër. Aq ka qenë shtrati i keq, janë detyruar të bëhen katër vetë për t’i ndihmuar, se s’kishin si e dërgonin ndryshe.
Për mungesat e materialeve higjenike, nga SHSKUK kanë deklaruar se klinika disponon 2 banjo të mëdha dhe 8 dhoma pacientësh të pajisura me sapun të lëngshëm. Krahas kësaj, të njëjtit thonë se kanë 5 karroca funksionale. Ndërkaq, sa i përket terapive të cilat pacientët thonë se i blejnë vet, në përgjigje SHSKUK konsideron se furnizimi me terapi gjatë vitit 2024 ka qenë në nivel të duhur.
Pergjigja e plote
Klinika e Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, e cila ofron shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshin edhe shërbime specifike endoskopike. Aktualisht, klinika ka gjithsej 33 shtretër për hospitalizime dhe 3 shtretër për aplikimin e terapisë biologjike ambulatore për pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve.
Me një kapacitet shfrytëzimi mbi 70%, klinika ka hapur dy shërbime të reja brenda të njëjtës hapësirë. Gjithashtu, numri i shërbimeve endoskopike ambulatore është rritur, duke arritur në rreth 2,000 raste, gjithmonë brenda po të njëjtës klinikë. Përkundër fluksit të madh të pacientëve, klinika disponon 2 banjo të mëdha të ndara dhe 8 dhoma pacientësh të pajisura me sapun të lëngshëm.
Lidhur me furnizimin me terapi, gjatë vitit 2024 ka qenë në nivel të duhur. Gjatë këtij viti janë dhënë mbi 12,000 infuzione, mbi 10,000 inhibitorë të pompës protonike, antibiotikë, analgjetikë, antipiretikë, albumina, aminoacide, ushqim parenteral dhe 330 ampula nga terapia biologjike e shtrenjtë (infliximab, adalimumab, vedolizumab).
Sa i përket pajisjeve, klinika disponon 5 karroca funksionale, nga të cilat 4 janë të reja, si dhe 3 shtretër të rinj transportues.

