Ankesë ndaj Spitalit të Kumanovës: gruaja shtatzënë në javën e 40-të pretendon se u përball me sjellje të papërshtatshme të mjekes
Një qytetare nga Kumanova, me inicialet GJ.A., i është drejtuar redaksisë së Televizionit News, duke shprehur pakënaqësi për trajtimin që pretendon se ka marrë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, në ditët e fundit të shtatzënisë.
Sipas ankesës së saj, gruaja, e cila ndodhej në javën e 40-të dhe dy ditë të shtatzënisë, më 17 nëntor kishte shkuar në spital për të kryer kontrollin CTG, me qëllim monitorimin e gjendjes së foshnjës.
Ajo pretendon se, në vend të një qasjeje profesionale dhe mbështetëse, është përballur me komunikim të papërshtatshëm nga një mjeke e cila ishte në ndërrim.
Në ankesën e dërguar në redaksinë tonë, qytetarja thotë se mjekja, e identifikuar prej saj si Sofija, i është drejtuar me ton të lartë, duke i thënë se nuk mund të paraqitet në spital kur të dëshirojë. Sipas saj, gjatë komunikimit është përdorur edhe shprehja: „Këtu është shtëpi e huaj, rregulla të huaja“.
Qytetarja thekson se nuk kishte kërkuar trajtim të veçantë, por vetëm kontroll mjekësor dhe kujdes profesional, veçanërisht duke qenë në ditët e fundit të shtatzënisë.
Ajo kërkon që rasti të shqyrtohet nga drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës dhe institucionet kompetente, duke kërkuar përgjegjësi nëse konstatohen shkelje në sjelljen e personelit mjekësor.
Redaksia e Televizionit News do të kërkojë edhe qëndrimin e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës lidhur me këtë ankesë, në mënyrë që publiku të informohet për të dyja palët./TELEVIZIONI NEWS

