Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës, një prej tyre pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë
Syla ka thënë se shumica e të lënduarve janë ankuar për pasojat e gazit lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.
“Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar në veprimet e gazit lotësjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. Të gjithë janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe pas trajtimit janë lëshuar shtëpi”, theksoi ai.
Mjeku ka sqaruar se të gjithë personat e pranuar janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
“Po, sigurisht. Domethënë pas trajtimit marrë në Qendrën Emergjente, të gjithë janë lëshuar shtëpi”, u shpreh ai.
Syla ka thënë se nuk ka pasur lëndime të rënda dhe se kryesisht bëhet fjalë për lëndime të lehta, ku dominuan ato të shkaktuara nga gazi lotsjellës.
“Po nuk pat lëndime të rënda. Kryesisht janë lëndime të lehta. Domethënë lëndimet për shkak të gazit lotësjellës këtu janë, ato kanë qenë dominuese. Edhe janë trajtuar tek ne edhe në Klinikën e Oftalmologjisë dhe pastaj janë lëshuar shtëpi”, tha ai.
Sipas tij, të lënduarit kanë qenë të moshave të ndryshme, nga adoleshentë deri te personat rreth 40-vjeçarë.
“Zakonisht moshat janë të ndryshme. Prej atyre adoleshentë deri 40-vjeçar”, theksoi ai.
Ndërkaq, Syla ka sqaruar se Qendra Emergjente nuk është duke ofruar shërbime mjekësore në terren, pasi atje intervenimet i kryen Ndihma e Shpejtë, përkatësisht Emergjenca e Qytetit.
“Jo, ne nuk jemi duke ofruar shërbim në terren sepse atje trajtim ofron Ndihma e Shpejtë, Emergjenca e Qytetit. Ne ofrojmë shërbim vetëm në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, shtoi ai

