Close Menu
TV NewsTV News
  • Maqedoni
  • Rajoni
  • Botë
  • Sport
  • Kulturë
  • Showbiz
  • Diaspora
  • Lifestyle
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Emisione
  • Emisione Fetare
Lajmet e fundit

Sejdiu: Problemi nuk janë anëtarët e BDI-së, por një udhëheqësi që nuk po e kupton se koha e saj ka kaluar

20 Nëntor, 2026

Durmishi paralajmëron tregtarët manipulantë: Nga java e ardhshme gjoba deri 200 mijë euro

20 Nëntor, 2026

Kurti: Zelensky u afrua me Serbinë, ai duhet ta njohë Kosovën, kjo do ta zbulonte mashtrimin e Putin

20 Nëntor, 2026

EULEX mohon raportimet se një polic i tyre ia drejtoi armën familjarëve të Krasniqit

20 Nëntor, 2026

Sevdai Radogoshi – Qumili reagon për herë të parë pas vdekjes së motrës

20 Nëntor, 2026

SPAK regjistron procedim penal ndaj Elisa Spiropalit, bashkëshortit dhe 3 personave të tjerë

20 Nëntor, 2026

Brenda një viti, mbi 42 mijë shqiptarë morën shtetësinë italiane dhe greke

20 Nëntor, 2026

Ahmeti në 25-vjetorin e UEJL-së: Abdylmenaf Bexheti me meritë e mori titullin “Doctor Honoris Causa”

20 Nëntor, 2026

Bekim Sali viziton shkollën “Ismail Qemali” në Cërnilishtë, ndan dhurata për nxënësit

20 Nëntor, 2026

Erdogan prezanton fuqinë e re ajrore të Turqisë

20 Nëntor, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
TV NewsTV News
E premte, 20 Nëntor
  • Maqedoni
  • Rajoni
  • Botë
  • Sport
  • Kulturë
  • Showbiz
  • Diaspora
  • Lifestyle
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Emisione
  • Emisione Fetare
TV NewsTV News

Kurti: Zelensky u afrua me Serbinë, ai duhet ta njohë Kosovën, kjo do ta zbulonte mashtrimin e Putin

Suad AvdiuBy Suad Avdiu20 Nëntor, 2026 Kosovë Pa Komente7 Mins Read
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një editorial Kyiv Post, me titullin ‘’Ukraina duhet ta njohë Kosovën’’.

Kurti, në opinionin e tij argumenton se, presidenti Zelensky duhet ta njohë pavarësinë jo si një favor ndaj Kosovës, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar të cilin Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur ‘’një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha’’.

‘’Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit bllofin. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur raste të ndryshme në një argument të vetëm, të përshtatshëm për interesat e tij.’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.

Shkrimi i plotë:

OPINION: Ukraina duhet ta njohë Kosovën

Në gushtin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy në këtë deklaratë ishte fakti se ajo u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.

Kosova, nga ana tjetër, ka ruajtur qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, kemi strehuar gazetarë ukrainas, si dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake.

Mes Kosovës dhe Ukrainës mund të gjenden shumë ngjashmëri. Konflikti në Ukrainë është lufta e parë e madhe në Evropë që nga koha e Kosovës. Të dyja vendet përballen me një fqinj që u referohet në mënyrë të dyshimtë ngjarjeve historike të shumë shekujve më parë, për të justifikuar pretendimet e sotme mbi territoret e tyre.

Kosova dhe Ukraina ndajnë gjithashtu një histori të mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, në momente të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, përmes shfaqjeve të jashtëzakonshme të unitetit ndërkombëtar.

Në një zhvillim të çuditshëm të ngjarjeve, kemi parë një lloj lëvizjeje zigzag. Zelensky është afruar më shumë me Serbinë, një vend që ka refuzuar vazhdimisht t’i vendosë sanksione Rusisë, edhe pasi zgjedhjet parlamentare të tetorit sollën ndryshimin e udhëheqjes, ndërkohë që vetë Rusia i është referuar vazhdimisht rastit të Kosovës.

Në fjalimin e tij pas aneksimit të Krimesë, Putini u kthye një mijë vjet prapa në histori për të justifikuar pretendimet e Rusisë. Ai përmendi edhe Kosovën: “Partnerët tanë perëndimorë e krijuan vetë precedentin e Kosovës – në një situatë shumë të ngjashme, siç e pranuan edhe vetë – dhe më pas bërtitën e u ankuan kur banorët e Krimesë shfrytëzuan të njëjtën të drejtë”.

Putini nuk shqetësohet për respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Përkundrazi, referimi i tij te Kosova është një përpjekje për të diskredituar Perëndimin. Ai e akuzon Perëndimin se dëshiron ta poshtërojë Rusinë, ndërkohë që pretendon se vetë Perëndimi ka krijuar një precedent të paligjshmërisë.

Kosova nuk është e panjohur për polemikat që shoqërojnë njohjen e saj. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, pasi shumica e kufijve evropianë tashmë ishin përcaktuar përmes rendit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Sot, më shumë se 120 shtete e kanë njohur Kosovën dhe që nga fillimi ajo ka gëzuar mbështetjen e aleatëve kryesorë perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe Francën.

Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur ato të ishin juridikisht dhe politikisht të njëjta. Ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik që mund të zbatohet për çdo kontest tjetër territorial.

Çdo rast duhet të vlerësohet bazuar në historinë e tij, faktet përkatëse dhe, mbi të gjitha, në atë që kanë bërë realisht vendet e përfshira.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamatur. Ajo ishte rezultat i një beteje të gjatë: aparteidit dhe represionit ndaj shqiptarëve etnikë në ish-Jugosllavi, të pasuar nga lufta, spastrimi etnik dhe gjenocidi, pasi Serbia kishte kryer tashmë gjenocid në Bosnjë dhe kishte nisur një fushatë për të bërë të njëjtën gjë në Kosovë. Procesi përfshiu gjithashtu negociata të gjata, të ndërmjetësuara nga Perëndimi.

Serbia pati mundësi të shumta për të negociuar, si para ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, ashtu edhe para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Në pranverën e vitit 1999, të 19 anëtarët e NATO-s ishin të bashkuar në vendimin për të bombarduar një shtet evropian: Jugosllavinë e Millosheviqit. Kjo tregon se sa e rëndë ishte situata, veçanërisht kur merret parasysh se sot 19 vende mezi arrijnë të pajtohen për një komunikatë të përbashkët për shtyp.

Bisedimet zyrtare shumëvjeçare për statusin përfundimtar të Kosovës nisën në fund të vitit 2005, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari. Në fund, Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur, me një nivel të paprecedentë të mbrojtjes për pakicat.

Më vonë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Në shtator të vitit 2012, mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë përfundoi.

Kosova nuk është precedenti i Putinit.

Dhe pikërisht për këtë arsye Kosova ka rëndësi në këtë argument. E drejta ndërkombëtare nuk kërkon që të pretendohet se raste thelbësisht të ndryshme janë të njëjta. Njohja e këtyre dallimeve nuk është hipokrizi. Përkundrazi, kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë ligji.

Të njëjtin argument për paligjshmërinë e përdor edhe presidenti serb i sapolarguar, Vuçiq: se pavarësia e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare, edhe pse kjo nuk është e vërtetë. Ekziston një kundërthënie groteske në pretendimin për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që, më shumë se 25 vjet më vonë, familjet në Kosovë ende janë në kërkim të njerëzve të vrarë gjatë luftës dhe të varrezave masive, vendndodhjet e të cilave Serbia refuzon t’i zbulojë.

Këtë verë vizitova Zubin Potokun, një rajon malor në Kosovë, ku mbetjet mortore po zbulohen në një lokacion thellë në pyll, për të cilin besohet se përmban eshtrat e civilëve të rrëmbyer dhe të zhdukur me forcë gjatë luftës. Në mesin e personave, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar në këtë lokacion, janë intelektualë, mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të rrëmbyer më 19 prill 1999. Më shumë se 25 vjet pas luftës, familjet ende kërkojnë eshtrat e civilëve të vrarë.

Ja se sa vlen pretendimi për të drejtën ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Kosova dhe Ukraina nuk ndajnë vetëm elemente të së kaluarës dhe së tashmes. Ato ndajnë edhe orientimin e tyre drejt së ardhmes. Të dyja synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Njohja e Kosovës do ta forconte këtë orientim të përbashkët drejt së ardhmes.

Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit bllofin. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur raste të ndryshme në një argument të vetëm, të përshtatshëm për interesat e tij.

Një kufi i ndryshuar nga tanket e një superfuqie nuk është i njëjtë me një status të arritur pas një lufte çlirimtare, administrimit ndërkombëtar dhe diplomacisë. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi. Kutitë e votimit për referendum nuk duhet të barten nga ushtarët e një shteti fqinj, siç bënë ushtarët rusë në Krime.

Vetëvendosja është e drejtë e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij. Ajo është një akt çlirimi në kërkim të barazisë dhe lirisë, demokracisë emancipuese dhe pavarësisë së vërtetë, e jo zgjerim apo shtrirje e një shteti tjetër në funksion të aspiratave të tij hegjemoniste.

Kjo ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por edhe për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën nga frika e asaj që një njohje e tillë mund të nënkuptojë për kontestet e veta territoriale.

Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar të cilin Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur: një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha.

Krimea është Ukrainë.

Dhe Kosova është Kosovë.

Lexuar: 49

Lajme te ngjashme

EULEX mohon raportimet se një polic i tyre ia drejtoi armën familjarëve të Krasniqit

Ndërpritet rryma në Kuvend

Murati dorëzon kallëzim penal ndaj Ramës nën dyshimet për keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove

Limaj për rikthimin e Ligjit për Specialen: Kam qenë i shokuar atë natë

Nëntë raste të dhunës në familje në 24-orët e fundit në Kosovë

Burgim i përjetshëm për 47-vjeçarin nga Kosova që vrau bashkëshorten në Austri

Lajmet e fundit

Sejdiu: Problemi nuk janë anëtarët e BDI-së, por një udhëheqësi që nuk po e kupton se koha e saj ka kaluar

20 Nëntor, 2026

Durmishi paralajmëron tregtarët manipulantë: Nga java e ardhshme gjoba deri 200 mijë euro

20 Nëntor, 2026

Kurti: Zelensky u afrua me Serbinë, ai duhet ta njohë Kosovën, kjo do ta zbulonte mashtrimin e Putin

20 Nëntor, 2026

EULEX mohon raportimet se një polic i tyre ia drejtoi armën familjarëve të Krasniqit

20 Nëntor, 2026

Sevdai Radogoshi – Qumili reagon për herë të parë pas vdekjes së motrës

20 Nëntor, 2026

SPAK regjistron procedim penal ndaj Elisa Spiropalit, bashkëshortit dhe 3 personave të tjerë

20 Nëntor, 2026

Brenda një viti, mbi 42 mijë shqiptarë morën shtetësinë italiane dhe greke

20 Nëntor, 2026
© 2026 Tv News.
  • Impressum
  • Kontakt

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.