Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës, lidhur me keqpërdorimin e dyshuar të 2.2 milionë eurove nga mjetet buxhetore.
Murati ka bërë të ditur se kallëzimi penal lidhet me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, sipas të cilave rreth 44 për qind e një kredie prej pesë milionë eurosh, të siguruar nga Ministria e Financave përmes marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), janë shpenzuar për pagesa që nuk kishin të bënin me projektin e paraparë.
Sipas Muratit, këto mjete ishin ndarë për investime në renovimin dhe ngrohjen e shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera publike në Prishtinë.
Ai ka pretenduar se 2.2 milionë euro janë ekzekutuar përmes 21 transaksioneve në periudha të ndryshme, ndërsa disa prej projekteve në emër të të cilave janë bërë pagesat nuk kanë ekzistuar fare në buxhet.
Ministri ka bërë të ditur se veprimet e dyshuara për të cilat është dorëzuar kallëzimi penal përfshijnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, falsifikimin e dokumentit zyrtar, mashtrimin dhe përdorimin e paautorizuar të pasurisë.
Murati ka vlerësuar se numri i transaksioneve dhe mënyra e ekzekutimit të tyre nuk lënë të kuptohet se bëhet fjalë për gabim teknik apo procedural, por për një skemë të paramenduar të keqpërdorimit.
“Disa prej projekteve në emër të të cilave janë bërë pagesa, as që kanë ekzistuar në buxhet. Keqpërdorimi i 2.2 milionë eurove dhe fakti që kjo është bërë me paramendim në 21 transaksione të ndryshme, len të kuptohet që personat e përfshirë kanë qenë të bindur se janë të paprekshëm nga ligji”, ka shkruar ai.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë shpejt dhe pa hezitim për rastin, duke shprehur shqetësimin se vonesat mund të krijojnë mundësi për vazhdimin e keqpërdorimeve nga personat e dyshuar.

