Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se qëndrimi i partisë së tij është që ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë të miratohet në të dy leximet, më pas të propozohet emri dhe të zgjidhet Presidenti, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
Hamza tha para mbledhjes së partisë se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me PDK-në.
“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është edhe kjo nuk është për PDK-në. UÇK-ja është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po themi të aprovohet ligji në të dy leximet, pastaj të propozohet emri për President dhe të zgjidhet Presidenti, e të shmangen zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me e çu vendin në zgjedhje, është temë tjetër”, deklaroi Hamza.
Kryesia dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do ta mbajnë tani një mbledhje të përbashkët.
Në mbledhjen që do të mbahet në selinë e kësaj partie, do të diskutohen rrethanat e reja pas takimeve të fundit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza me kryeministrin dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

