Të nderur qytetarë, Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për zhvillimet e fundit në Kumanovë, të cilat po krijojnë një klimë pasigurie dhe po dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike. Ditë më parë, një i ri shqiptar u dënua për shkak se vitin e kaluar kishte festuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Informon Televizioni NEWS
U prit një vit që të shqipatohet dënimi pak dit para festës së flamurit!
Ndërkohë, mbrëmë, nëpër qytetin e Kumanovës janë parë persona të maskuar, me shkopinj në duar. Dhe natyrshëm shtrohet pyetja: A është ky standardi i drejtësisë në Kumanovë? Një i ri dënohet pse feston flamurin e tij kombëtar, a nuk është simptomatike që ky vendim merret vetëm disa dit para 28 nëntorit? Ndërkohë njerëz të maskuar, me mjete që krijojnë frikë dhe pasiguri në qytet, çfarë mesazhi po përcjellin dhe çfarë përgjegjësie do të mbajnë huliganë të tillë?
Kërkojmë nga organet kompetente zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti në mënyrë qe mos te shfaqen interpretime,keqkuptime dhe amolli para opinionit publik! Vonesa në zbardhjen e rastit dhe mungesa e transparences hap dilema për intepretime të ndryshme. Ne nuk duam të paragjykojmë, por kërkojmë nga organet kompetente që këto raste t’i hetojnë me seriozitet dhe të veprojnë pa standarde të dyfishta.
Kumanova nuk ka nevojë për tensione, provokime dhe frikësime. Kumanova ka nevojë për drejtësi, siguri dhe respekt të ndërsjellë. Kur një shqiptar ndëshkohet për festimin e 28 Nëntorit, ndërsa në rrugët e qytetit shfaqen njerëz të maskuar me shkopinj, krijohet një përshtypje e rrezikshme, se dikush dëshiron t’u dërgojë shqiptarëve mesazhin që këtë vit të mos e festojnë 28 Nëntorin.
Nëse ky është qëllimi, atëherë duhet ta themi qartë, askush nuk mund ta frikësojë një popull që feston historinë, identitetin dhe flamurin e tij kombëtar.
28 Nëntori nuk është provokim. Është festë kombëtare, është histori, është krenari dhe është e drejtë e çdo shqiptari ta festojë lirshëm dhe me dinjitet.
Si degë e BDI-se kërkojmë nga institucionet që të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të mos lejojnë që Kumanova të shëndërrohet në një qytet ku një komunitet ndëshkohet për simbolin e vet, ndërsa të tjerët mund të krijojnë frikë pa asnjë përgjegjësi.
Kumanova është qytet i të gjithë qytetarëve të saj.
Bashkëjetesa nuk ndërtohet me frikë, as me drejtësi selektive.
28 Nëntorin do ta festojmë me krenari, pa frikë dhe me dinjitet,
ashtu siç ka festuar gjithmonë Kumanova./TV NEWS

