Dy shtetas serbë u ndaluan në Jarinjë pasi në automjetin e tyre u gjetën thika, përfshirë dy luftarake, mbishkrime nacionaliste dhe pajisje të tjera. Megjithatë, Prokurori i Shtetit vendosi t’i lirojë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Bëhet fjalë për Aleksandar Urosevic (38) dhe Vuk Mircetic (39), të ndaluar më 19 shtator gjatë hyrjes në Kosovë me një Toyota Auris.
Gjatë kontrollit të automjetit, te Urosevic u gjetën tri thika, njëra luftarake, një vulë serbe dhe një kartë identifikimi të një organizate ku rezultonte anëtar.
Te pasagjeri Mircetic u gjetën dy bluza me mbishkrime nacionaliste, dy thika, njëra luftarake, një logo me flamurin e Serbisë, dy pajisje multifunksionale dhe një kamerë GoPro.
Pas konsultimit me prokurorin, ndaj tyre u iniciua rast për “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve” dhe të dy u ndaluan për 48 orë.
Ata u intervistuan në prani të avokatëve, ndërsa rasti kaloi për hetim te Hetimet Rajonale në Mitrovicë të Veriut.
Më 20 shtator, Prokurori i Shtetit ndërpreu ndalimin, duke vlerësuar se kishin pushuar arsyet për mbajtjen e tyre. Të dy u liruan, ndërsa hetimet vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

