Shkup, 1 prill – Çdo ditë dalin prova të reja që konfirmojnë se hetimi për tragjedinë në Koçan nuk është një proces profesional apo i pavarur, por një proces politikisht i dirigjuar. Ajo që po shohim nuk është një hetim, por një farsë e mirëorganizuar për të mbrojtur fajtorët e vërtetë. 59 jetë të reja u shuan në një tragjedi të tmerrshme, ndërsa sistemi, në vend që të mbajë përgjegjës ata që e lejuan këtë objekt të funksionojë jashtë çdo rregulli, ata që injoruan denoncimet dhe paralajmërimet, po bën gjithçka për të gjetur dikë tjetër që t’ia faturojë fajin.
Kështu ka akuzuar Arta Bilalli Zendeli e BDI-së, sipas të cilës, faktet janë gjithnjë e më të qarta: disa profesionistë brenda policisë së Koçanit nuk mund të heshtnin përballë shkeljeve të hapura dhe kishin dërguar informacione të shkruara për problemet në objektin “PULS”.
“Këto dokumente janë problemi më i madh për Qeverinë dhe strukturat e saj policore, sepse nuk mund të injorohen. Pikërisht për këtë arsye, këto struktura, me mbështetjen e Qeverisë, po punojnë ditë e natë për të zbatuar planin e tyre monstruoz për të zhvendosur fajin kudo tjetër, përveçse aty ku është me të vërtetë. Është e qartë se gjithë zinxhiri komandues i policisë ishte në dijeni për të miturit që festonin pas mesnate, për përleshjet e vazhdueshme, për shpërndarjen e rregullt të drogës, për shkeljet e sigurisë, për kushtet e mjerueshme në të cilat operonte objekti dhe madje edhe për kaosin me parkimin. E dinin komandantët në Koçan, drejtuesit në Shtip, shefat e Byrosë për Siguri Publike. Gjithçka ishte e dokumentuar, e arkivuar dhe e shpërndarë në të gjithë zinxhirin komandues të policisë”.
Është e qartë se, thotë Bilalli Zendeli, Qeveria nuk kërkon drejtësi, por alibi.
“Kjo nuk mund të heshtet dhe prandaj kërkojmë publikisht: Pezullimin e menjëhershëm të gjithë zinxhirit komandues në MPB dhe Byronë për Siguri Publike, të cilët e dinin për problemet në PULS, por nuk vepruan; Një hetim të pavarur, jashtë duarve të atyre që lejuan këtë tragjedi, për të zbuluar kush i dha mbrojtje këtij objekti; Hapjen e një procesi të ri kundër të gjithë atyre që po punojnë aktivisht për të fshehur të vërtetën dhe për të fabrikuar akuza monstruoze për të mbrojtur fajtorët e vërtetë”.

