Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm (18 nëntor) në Kroaci, ku tre persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas policisë kroate, aksidenti ka ndodhur në rrugën shtetërore D1, në Blagaj, pranë qytetit Slunj, ku janë përplasur dy kamionë dhe dy automjete.
Njoftimi për aksidentin është pranuar në orën 06:10.
Për shkak të tragjedisë, qarkullimi në këtë segment rrugor është ndërprerë plotësisht, ndërsa automjetet po devijohen në rrugë alternative.
Policia po kryen hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

