Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka replikuar me deputeten e Aleancës, Time Kadrijaj, lidhur me afatin e sjelljes për miratim në Kuvend të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Kadrijaj e pyeti ministrin nëse ky ligj mund të sillet më herët në Kuvend, duke vlerësuar se, duke pasur parasysh rëndësinë e tij, shtyrja deri në afatin e paraparë është e paarsyeshme. Sipas agjendës legjislative, ligji është planifikuar të procedohet në Kuvend gjatë verës së vitit të ardhshëm.
“Pyetja ime është: A do ta sillni më herët këtë ligj në Kuvendin e Kosovës apo do ta zvarrisni?”, pyeti Kadrijaj.
Në përgjigjen e tij, Hoti tha se deputetja po e kthente këtë çështje në një “sulm politik”, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se 27 vjet e pesë muaj nga përfundimi i luftës çlirimtare në Kosovë dhe se ende nuk ekziston një ligj i tillë.
“Kanë kaluar më shumë se 27 vjet e 5 muaj që nga përfundimi i luftës çlirimtare në Kosovë. Më shumë se 27 vjet dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë. Dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitë në program legjislativ në një afat prej 10 muajsh”, deklaroi Hoti.
“Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, shtoi ministri.
Gjatë replikës, Hoti tha se e vlerëson kontributin e Kadrijajt gjatë luftës, por la të kuptohet se ky kontribut është dashur të ruhet edhe pas përfundimit të saj, përmes ligjeve dhe institucioneve.
“Por unë besoj që kontributi i dhënë në luftë për ju dhe të gjithë të tjerët që kanë dhënë kontribut, është dashur të ruhet edhe pas luftës përmes ligjeve dhe institucioneve tona”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se afati i paraparë për sjelljen e ligjit është vera e vitit të ardhshëm, pasi synimi është hartimi i një ligji të qëndrueshëm, në procesin e të cilit do të përfshihen të gjitha kategoritë e dala nga lufta.
Në replikën e saj, Kadrijaj e kundërshtoi pretendimin se kishte bërë politikë me këtë çështje, duke iu drejtuar ministrit me fjalët:
“Andin Ukshin Hoti, faleminderit shumë për ligjëratën. Nuk bëra politikë aspak. Asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë. Përndryshe, ti bëre politikë”, deklaroi ajo.
Në fund, deputetja e Aleancës ritheksoi se ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare duhet të sillet më herët në Kuvend, duke shtuar:
“I bëni nder edhe vetes edhe të gjithëve”.

