Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten pasdite me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.
Sipas njoftimit, Tërnava e uroi Kurtin për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke theksuar se ky proces shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe mundësoi kthimin te stabiliteti institucional.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin, humanizmin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare.
Në takim u diskutua edhe për situatën politike në rajon dhe më gjerë, si dhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit, aktgjykimi u cilësua si i padrejtë dhe i pasaktë, ndërsa u diskutua edhe për procesin e ardhshëm të apelit.
Në fund të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin e Kosovës.

