Ajo që u ndërtua si përpjekje për gjetjen e një kandidati konsensual për president të Kosovës, duket se po shkon drejt dështimit, pasi kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për votimin e kandidaturës së Bekim Sejdiut ka rikthyer skenarin e zgjedhjeve të reja.
Për këtë situatë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar mënyrën se si po funksionojnë institucionet e vendit, duke e cilësuar gjendjen aktuale si rrezik për demokracinë.
Musliu në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka uzurpuar institucionet.
“Vetë fakti që ne jemi me institucione jo legjitime aktualisht, duke pasur parasysh që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë uzurpuar qeverinë, presidencën, kuvendin, ky është rreziku më i madh, sepse ne po shkatërrojmë demokracinë. Domethënë, këta njerëz po rrezikojnë demokracinë në vend, po shkelin Kushtetutën dhe janë të papërgjegjshëm ndaj të gjitha instancave shtetërore. Prandaj, rreziku më i madh është kur ne sot nuk kemi më as presidencë, as kuvend dhe as qeveri. Çdo lëvizje në zgjidhje të këtij problemi ose çdo lëvizje në krijimin e institucioneve legjitime nuk përbën rrezik, përkundrazi, përbën siguri për vendin”, ka deklaruar Musliu.
E pyetur se kush do të ishte humbësi më i madh nëse vendi shkon në zgjedhje dhe kush do të ishte fajtori kryesor për një situatë të tillë, Musliu ka thënë se pasojat më të mëdha do t’i bartnin qytetarët e Kosovës.
“Fillimisht duhet ta themi të qartë edhe me zë të lartë se humbësi më i madh, ose ai i cili humb më së shumti ose atakohet më së shumti nga veprimet e papërgjegjshme të politikanëve, konkretisht të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast, janë qytetarët e Republikës së Kosovës. Çdo ditë e humbur pa institucione ose çdo ditë e kaluar pa institucione është humbje për qytetarët e Republikës së Kosovës. Është humbje për Policinë e Kosovës, për Ushtrinë e Kosovës, për universitetet, për shëndetësinë, për arsimin në përgjithësi dhe për qytetarët në përgjithësi. Qytetarët janë të lodhur nga kjo papërgjegjësi totale e politikës kosovare”, ka thënë deputetja e PDK-së.

