13-vjeçari që dyshohet se me thikë e ka goditur në zemër bashkëmoshatarin e tij gjatë përleshjes së përgjakshme në Çair, nuk do të mbajë përgjegjësi penale për shkak të moshës.
Nga Prokuroria Publike dje njoftuan se 13-vjeçari nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale, pasi sipas Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët, personi që në momentin e kryerjes së veprës nuk ka mbushur 14 vjeç nuk mund të sanksionohet penalisht, pavarësisht nga pesha e veprës së kryer.
Ndërkohë, vëllai i tij 19-vjeçar, B.I. nga Shkupi, është dërguar në paraburgim për 30 ditë. Gjykata Penale e Shkupit ia ka caktuar masën e paraburgimit mbi të tri bazat ligjore: rrezik për arratisje, mundësi për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezik për përsëritjen e veprës.
19-vjeçari dyshohet për veprën penale “Dhunë ndaj fëmijës”, ndërsa sipas të dhënave të policisë, në përleshjen e 31 gushtit, ai dhe vëllai i tij 13-vjeçar kanë përdorur thikë dhe kanë plagosur tre persona, të moshës 13, 16 dhe 19 vjeç.
Më i rëndi është rasti i 13-vjeçarit, i cili ka marrë plagë me thikë në zemër. Fëmija është operuar menjëherë dhe ndodhet në kujdes intensiv, në gjendje kritike për jetën.
Policia ka bërë të ditur se pikërisht 13-vjeçari i ka goditur me thikë të tre personat në anën tjetër të përleshjes.
Sipas njoftimit policor, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht, rreth orës 22:00, në territorin e Çairit, ku fillimisht ka shpërthyer një përleshje fizike mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë.
Edhe një 19-vjeçar tjetër, I.Z., ka marrë lëndime të rënda.
Çfarë thotë ligji?
Edhe pse bëhet fjalë për një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, ligji është i qartë: fëmija nën moshën 14 vjeç nuk mund të mbajë përgjegjësi penale.
Ligji për Drejtësinë për Fëmijët përcakton se ndaj një fëmije që në momentin e kryerjes së veprës nuk i ka mbushur 14 vjeç, nuk mund të shqiptohet sanksion penal, pavarësisht se sa e rëndë është vepra.
Nëse gjatë procedurës konstatohet se fëmija ka qenë nën 14 vjeç në momentin e ngjarjes, procedura ndalet dhe rasti i përcillet Qendrës kompetente për Punë Sociale.
Kjo nuk do të thotë se rasti përfundon pa asnjë masë.
Qendra për Punë Sociale mund të ndërmarrë masa për ndihmë dhe mbrojtje, në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe interesit më të mirë të fëmijës. Por këto masa nuk janë dënime penale dhe nuk konsiderohen sanksione penale.
Regjimi i përgjegjësisë penale për fëmijët fillon nga mosha 14-vjeçare. Për fëmijët nga 14 deri në 16 vjeç parashikohen kryesisht masa edukative, ndërsa për moshat 16 deri në 18 vjeç, në kushte të përcaktuara rreptësisht, mund të shqiptohen edhe sanksione më të rënda.
Të gjithë institucionet duhet të reagojnë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e cilësoi ngjarjen si një nga rastet më të rënda të dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Ai theksoi se rastet e tilla nuk mund të trajtohen vetëm si çështje policore apo penale, sidomos kur autorët dhe viktimat janë të mitur.
Sipas Toshkovskit, bëhet fjalë për akte jashtëzakonisht të dhunshme të kryera nga të mitur, ndërsa përgjigjja juridike dhe shoqërore ndaj tyre është shumë më ndryshe nga ajo që zbatohet ndaj personave madhorë.
Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, shoqëria duhet ta trajtojë problemin më thellë dhe të ketë një përgjigje të gjerë institucionale.
Kjo përgjigje, tha ai, duhet të përfshijë ministritë kompetente, prindërit, qendrat sociale, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrinë e Arsimit, institucionet shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Vërtet bëhet fjalë për një nga sfidat më të tmerrshme që kemi përpara”, porositi Toshkovski.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja më e madhe: si arritëm deri këtu?
Sepse një fëmijë 13-vjeçar që hyn në një përleshje me thikë dhe i shkakton një bashkëmoshatari plagë në zemër, nuk është vetëm problem i një nate, i një rruge apo i një familjeje.
Është alarm për familjen, shkollën, sistemin social, institucionet dhe shoqërinë në tërësi.
Nëse duam të parandalojmë që raste të tilla të përsëriten, nuk mjafton vetëm arrestimi i atyre që mund të mbajnë përgjegjësi penale.
Duhet të ndërhyhet shumë më herët – para se një konflikt mes fëmijësh të përfundojë me thikë, në zemër të një fëmije tjetër.

