Një nga tramvajet më të njohur të Lisbonës, i konsideruar simbol i qytetit dhe atraksion turistik, doli nga shinat të mërkurën duke shkaktuar 15 viktima dhe 18 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë. Pesë prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa disa janë shtetas të huaj, njoftuan shërbimet e emergjencës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në orarin e pikut, kur tramvaji “Elevador da Glória” humbi kontrollin teksa zbriste një kodër të ngushtë në qendër të Lisbonës dhe u përplas me një ndërtesë. Mjeti doli në njërën anë, ndërsa dhjetëra zjarrfikës e ekipe shpëtimi punuan për më shumë se dy orë për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.
Qeveria portugeze e cilësoi aksidentin si më të rëndin në historinë e fundit të kryeqytetit dhe shpalli ditë zie kombëtare për të enjten. Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa dhe kryebashkiaku Carlos Moedas shprehën ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dërgoi mesazhin e saj në rrjetet sociale.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Sipas dëshmitarëve, tramvaji ka rrëshqitur zvarrë në kodër pa kontroll, ndërkohë që kompania operuese Carris njoftoi se mjeti kishte kaluar në mirëmbajtje të planifikuar. Hetimet do të nisin sapo të përfundojnë procedurat e shpëtimit. Tramvaji historik “Glória”, i shpallur monument kombëtar, transporton çdo ditë banorë dhe turistë, duke qenë një nga atraksionet më të vizituara të Lisbonës.
/vizionplus.tv

