Legjendë e madhe e basketbollit kosovar, kështu mund të përkufizohet karriera dhe emri i Florian Miftarit.
I lindur për të qenë pjesë e historisë së basketbollit kosovar, Miftari ishte i jashtëzakonshëm me paraqitjet e tij në parket, duke fituar zemrat e tifozëve, por edhe çdo trofe të mundshëm.
Floriani ishte i njohur për super ngulitjet atraktive, aq sa adhuruesit e basketbollit e prisnin me padurim një moment të tillë gjatë ndeshjeve. Natyrisht, asgjë nuk ishte rastësi sepse ai punonte me orë të tëra në stërvitje për këtë gjë.
“Të gjithë ne e dimë se basketbolli është një prej sporteve më dinamike që ka bota dhe është më atraktivi. Duke e pa se çfarë po kërkon publiku, normalisht se gjithmonë jam stërvitur, ka ditë që ndoshta kam ushtruar me gjashtë deri në shtatë orë për ngulitje. Gjithçka mund të them që është edhe gjenetike. Unë e kam pasur një gjenetikë që ta jap Zoti dhe normalisht të tjerët nuk mund të kenë impakt aty. Por, unë kam punuar shumë dhe kam investuar në aspektin fizik, jam ushqyer shëndetshëm, kam bërë gjumë të mirë. Ka pasur shumë raste kur unë jam lënduar duke tentuar të bëjë atraksione të ndryshme në stërvitje, vetëm që me i bo disa ngulitje që publiku donte me i pa”, tha fillimisht ai në dokumentarin ‘Expose‘, prodhim i GazetaBlic.
Duke qenë i perfeksionuar në ngulitje, ai mori nofkën ‘Air Miftari’, aq sa ishte i pamëshirshëm edhe ndaj koshave, duke i thyer disa prej tyre.
“Me kosha nuk kam pasur shumë fat, siç dihet është ai koshi i famshëm në Mitrovicë, i cili kushtimisht më ka mbetur në dorë dhe jo që e kam bo me qëllim. Gjithashtu një turnir që e kemi pasur në Gostivar dhe gjatë ndeshjes e kam thyer koshin, ndeshja është shtyrë për një ditë tjetër, sepse nuk kishte tabelë rezervë. Gjithmonë jam kritikuar nga bashkëlojtarët se po i’u shkaktojë probleme të tilla, por më së shumti i kam shkaktuar vetes lëndime. Këto gjëra nuk i ndërroi me asgjë tjetër në jetë, sepse janë pika të shndrritshme, të cilat mbesin dhe i kujtojmë jo vetëm unë, por familja ime, fëmijët e mi nesër dhe shumë e shumë adhurues të basketbollit”, përfundoi Miftari.
/GazetaBlic/

