Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka akuzuar VLEN-in se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga çështja e Alta Bankës, duke e cilësuar këtë të fundit si bankë të lidhur me paratë e zeza në Serbi dhe regjimin e mëparshëm.
Në emisionin “VERDICT” në TVM2, Osmani pretendoi se kishte pasur përpjekje përmes kësaj banke që Serbia të shtrinte ndikimin e saj ekonomik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa tha se vendime politike e kishin mundësuar këtë proces.
Ai kritikoi VLEN-in për mënyrën se si është përfshirë në debat, duke thënë se përfaqësuesit e kësaj partie janë bërë zëdhënës të një procesi për të cilin, sipas tij, mund të mos kenë pasur as dijeni.
“Pse këta lejuan, këta të VLEN-it lejuan që ta fusin debatin këndej te shqiptarët duke u bërë zëdhënës të një procesi të cilët, ndoshta edhe kanë qenë të përzier, nuk mund ta them, po ma merr mendja se as që i kanë pyetur, as që e kanë ditur”, deklaroi Osmani.
I pyetur nga gazetari Artan Nuhiu nëse ka pasur përfitime nga ndonjë shqiptar përmes kompanisë “AS Senjak”, për të cilën VLEN pretendon se është në pronësi të krushkut të Ali Ahmetit dhe se ka blerë aksione në Stopanska Banka Manastir në vitin 2024, për t’ia shitur më pas Alta Bankës, Osmani i mohoi këto pretendime.
Ai i cilësoi këto informacione si lajme të rreme dhe pretendoi se janë përdorur për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia e qytetarëve lidhur me çështjen e Alta Bankës.
“Edhe të gjitha këto informacione ishin lajme të rreme, të cilat ata kishin për qëllim t’i hedhin, për të krijuar një perde tymi, me qëllim që revolti i madh i njerëzve që u krijua pas asaj që ndodhi me Alta Bankën, të defokusohet”, u shpreh Osmani.

