Venera Azizi: Është sfidë të jem zëdhënësja e parë shqiptare e qeverisë, kam përkrahjen e bashkëkryetarëve Mexhiti e Kasami*
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi në një intervistë për Televizionin Neës, ka folur për sfidat e detyrës së saj si zëdhënëse e parë shqiptare e Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në ushtrimin e këtij funksioni.
Azizi u shpreh se pozita që mban përbën një sfidë, veçanërisht duke qenë një grua në një pozicion ku komunikimi publik është i dominuar nga burrat.
“Punët nuk janë të ndara mes burrave dhe grave. Është sfidë të jetë një grua mes burrave. Është fakt se këtu ku jam, jam me mbështetjen e pakompromis të burrave, siç janë bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si dhe të tjerëve”, deklaroi Azizi.
Ajo theksoi se, pavarësisht përgjegjësisë për të qenë në vijën e parë të komunikimit të vendimeve qeveritare, gëzon përkrahjen e ministrave, zëvendësministrave dhe deputetëve.
“Pa marrë parasysh se jam në frontin e parë të komunikimit të vendimeve, gjithmonë kam përkrahjen e të gjithë ministrave, zv/ministrave dhe deputetëve që nuk janë të gjinisë sonë”, u shpreh zëdhënësja e Qeverisë.
Azizi vlerësoi se mbështetja institucionale dhe bashkëpunimi janë të rëndësishme në përballimin e sfidave të këtij funksioni.

