Aeroplanët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë gjatë natës, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar origjinën e tij.
Presidenti lituanez, Gitanas Nausėda, konfirmoi incidentin, duke thënë se droni u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s pasi hyri në territorin ajror të vendit.
Sipas autoriteteve lituaneze, droni dyshohet se hyri në jug të Lituanisë, pranë Kaunasit, qytetit të dytë më të madh të vendit, duke ardhur nga Bjellorusia pak pas mesnatës të së martës.
“Një dron që sapo hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s”, shkroi Nausėda në një deklaratë në rrjetin social X.
Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave tha se ende nuk dihet se nga kishte ardhur droni dhe kush e kishte operuar atë.
Alarmet për dronë u aktivizuan më herët të martën në Vilnius dhe në zonat përreth kryeqytetit, transmeton Telegrafi.
Ministria lituaneze e Mbrojtjes tha se forcat e armatosura të vendit dhe pilotët italianë që shërbejnë në misionin e NATO-s për mbrojtjen ajrore reaguan “shpejt dhe me përgjegjshmëri” ndaj shkeljes së hapësirës ajrore.
Presidenti Nausėda paralajmëroi se gatishmëria e tillë është veçanërisht e rëndësishme për rajonin, në një kohë kur Rusia po intensifikon agresionin kundër Ukrainës.
“Bashkë me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do ta mbrojë hapësirën e saj ajrore”, deklaroi ai.
Moska deri tani nuk ka komentuar incidentin. Lituania ndan një pjesë të konsiderueshme të kufirit të saj jugor dhe lindor me Bjellorusinë, aleaten kryesore të Rusisë.
Ky nuk është incidenti i parë i ngjashëm këtë javë. Të dielën, në Lituani u raportuan pamje të dronëve, ndërsa Qendra e Menaxhimit të Krizave tha më vonë se një objekt kishte “me gjasë” hyrë nga Bjellorusia, kishte përshkuar territorin lituanez dhe më pas kishte hyrë në hapësirën ajrore të Rusisë. Incidenti i 13 shtatorit nuk shkaktoi aktivizimin e alarmeve për kërcënim ajror.
Ndërkohë, Polonia njoftoi të hënën se kishte zhvilluar “operacione ajrore” në hapësirën e saj ajrore për shkak të aktivitetit të dronëve rusë me motorë reaktivë, të cilët po kryenin sulme në territorin e Ukrainës.
Varshava tha se këto masa ishin të natyrës parandaluese dhe synonin mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve të kërcënuara.
Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët ushtarakë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në Evropë që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Avionët e NATO-s janë ngritur disa herë në ajër këtë vit për të rrëzuar dronë ukrainas që kanë devijuar dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike, përfshirë Estoninë dhe Letoninë.
Ukraina ka fajësuar luftën elektronike ruse për disa prej këtyre rasteve, duke argumentuar se teknologjia ruse mund të ndikojë në trajektoren e fluturimit të dronëve ukrainas.
Në maj, banorët e Vilniusit u detyruan të strehoheshin pas aktivizimit të një alarmi për dronë, ndërsa për një periudhë të shkurtër u ndërprenë edhe fluturimet dhe transporti hekurudhor.
Lituania, Estonia dhe Letonia u anëtarësuan në NATO në vitin 2004 dhe mbulohen nga neni 5 i traktatit të Aleancës, sipas të cilit një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.

