8 shtator 2026 – Kuvendi i Malit të Zi pritet të shqyrtojë për herë të tretë gjatë këtij mandati nismën për shkarkimin e kryetarit të tij, Andrija Mandiç. Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), pas një telegrami ngushëllimi që Mandiçi i dërgoi Darko Mlladiçit, djalit të Ratko Mlladiçit, i dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, përfshirë atë në Srebrenicë.
Mandiçi ishte ndër politikanët që shprehu publikisht ngushëllimet pas vdekjes së Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Mlladiçi u dënua përfundimisht nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Pas reagimeve të shumta, Mandiçi nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij.
Në Kuvend ai tha se ngushëllimet i kishte shprehur “në përputhje me zakonet” dhe se nuk shihte asgjë të diskutueshme në telegram.
Pikërisht ky veprim ka nxitur DPS-në të kërkojë shkarkimin e tij. Kreu i kësaj partie, Danijel Zhivkoviç, tha se Mandiçi “ka kaluar vijën e kuqe” dhe se çështja nuk lidhet më vetëm me bindjet e tij personale, por me faktin që ai është kryetari i parlamentit të një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Kur kryetari i Kuvendit të Malit të Zi shpreh ngushëllime për vdekjen e një personi të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, nuk po flasim më vetëm për bindjet e tij private. Po flasim për dinjitetin e njeriut që përfaqëson Kuvendin e Malit të Zi”, tha Zhivkoviç.
Sipas tij, rruga drejt BE-së nuk nënkupton vetëm miratimin e ligjeve dhe përmbushjen e detyrimeve teknike, por edhe respektimin e vlerave evropiane.
“Europa është, mbi të gjitha, një sistem vlerash. Nuk mund të flasësh në Bruksel për vlerat evropiane dhe të heshtësh në Podgoricë kur kryetari i Kuvendit i bën nderime një personi të dënuar për gjenocid”, tha ai.
Sa vota i duhen shkarkimit?
Për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit nevojiten 41 vota.
Deri tani, rreth 25 deputetë kanë sinjalizuar se do ta mbështesin nismën e DPS-së. Në këtë grup janë deputetët e DPS-së, Aleanca Evropiane, Iniciativa Qytetare Kroate (HGI), me shumë gjasë edhe Lëvizja Qytetare URA, si dhe deputeti i pavarur Nikola Janoviç.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është Partia Boshnjake (BS). Kryetari i saj, Ervin Ibrahimoviç, tha se vendimin përfundimtar do ta marrin organet e partisë, por theksoi se BS nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kompromis me të vërtetën për gjenocidin në Srebrenicë.
Nëse deputetët e BS-së votojnë pro, numri i votave për shkarkimin do të shkonte në rreth 31. Edhe me mbështetjen e mundshme të disa deputetëve të komuniteteve të tjera, nisma mund të mos arrijë 41 votat e nevojshme.
Për këtë arsye, një rol vendimtar mund të ketë Lëvizja Evropa Tani (PES), e cila ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e saj. Në anën tjetër, Forumi Shqiptar, pjesë e shumicës parlamentare, ka vendosur njëzëri që deputetët e tij të votojnë pro shkarkimit të Mandiçit, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj Ratko Mlladiçit.
Kjo është përpjekja e tretë
Kjo është hera e tretë gjatë mandatit aktual që kërkohet shkarkimi i Mandiçit.
Nisma e parë u paraqit në mars të vitit 2024, pas një vizite në Kuvend të Milorad Dodikut, atëherë president i entitetit Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Në atë rast, opozita kritikoi faktin që gjatë vizitës nuk ishte vendosur flamuri zyrtar i Bosnje dhe Hercegovinës në parlament.
Në votimin e atëhershëm, vetëm 27 deputetë votuan për shkarkimin, ndërsa 44 votuan kundër, kështu që Mandiçi mbeti në detyrë.
Nisma e dytë u paraqit në maj të vitit 2025 nga DPS dhe Socialdemokratët, të cilët e akuzuan Mandiçin se kishte dëmtuar integritetin e Kuvendit. Edhe ajo nismë dështoi.
Përveçse një përplasje e brendshme politike në Mal të Zi, rasti ka marrë edhe dimension europian.
Podgorica është në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa mënyra se si institucionet malazeze trajtojnë çështjen e Srebrenicës dhe mohimin apo relativizimin e krimeve të luftës shihet edhe në kuadër të respektimit të vlerave europiane dhe marrëdhënieve të rajonit me Brukselin.

