Serbia është shfaqur si një pistë e re në hetimet për tentativën e sulmit me dron në aeroportin e Leipzig/Halle, ndërsa autoritetet gjermane po verifikojnë lidhje të mundshme mes të dyshuarve dhe rasteve të tjera të sabotimit.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Der Spiegel, një prej personave të dyshuar për sulmin në Leipzig ka udhëtuar drejt Serbisë pas ngjarjes.
Sipas informacioneve të cituara nga Der Spiegel, autoritetet gjermane po shqyrtojnë gjithashtu lidhjen mes rastit të Leipzigut dhe një operacioni të dyshuar në kufirin serbo-hungarez.
Më 11 qershor, autoritetet serbe arrestuan dy persona pranë kufirit me Hungarinë. Në automjetet e tyre u gjetën pajisje të një droni të modifikuar, transmetues për kontrollin e tij dhe eksploziv i vendosur në kuti konservash. Hetuesit po shqyrtojnë nëse komponentët kanë ngjashmëri me dronin e gjetur pranë një avioni ukrainas në aeroportin e Leipzigut.
Dy të arrestuarit, një shtetas serb dhe një person me shtetësi serbe dhe ruse, ndodhen në paraburgim, ndërsa autoritetet gjermane po hetojnë kontaktet e tyre të mundshme me personat e përfshirë në çështjen e Leipzigut.
Serbia, “hotspot” për operacionet ruse?
Der Spiegel raporton, duke iu referuar burimeve të sigurisë, se shërbimet perëndimore të Inteligjencës e konsiderojnë Serbinë një “hotspot” për operacionet ruse të sabotimit në Evropë, duke përfshirë rekrutimin dhe trajnimin e personave që mund të përdoren nga shërbimet ruse.
Një tjetër element i hetimit është fakti se një prej të dyshuarve për sulmin në Leipzig dyshohet se ka kaluar përmes Serbisë dhe Stambollit në drejtim të Rusisë.
Qeveria gjermane ka deklaruar se pas tentativës për sulm me dron në Leipzig qëndrojnë persona që kanë vepruar në emër të strukturave shtetërore ruse. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt e ka cilësuar rastin si pjesë të modelit të operacioneve hibride ruse në Evropë.
Moska i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të pabazuara.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse lidhjet me Serbinë dhe rastet e tjera të sabotimit janë pjesë e të njëjtit rrjet.

