Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë bërë të ditur se janë njoftuar rreth orës 19:30, nga menaxheri i aeroportit se gjatë uljes së avionit të linjës Mançester–Rinas ishte gjetur një letër në tualetin e avionit. Letra, e shkruar në anglisht, përmbante një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë realizuar zbritjen e kontrolluar të të gjithë pasagjerëve.
Policia shpjegon më tej se strukturat përkatëse kanë kryer verifikime të hollësishme të avionit, pasagjerëve dhe bagazheve, duke angazhuar edhe qentë antieksplozivë.
Paralelisht, pasagjerët i janë nënshtruar kontrolleve në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas nëpërmjet skanerit të aeroportit, për të zbuluar çdo send që mund të ketë lidhje me hartimin e shënimit kërcënues.

