Numri i martesave në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa divorcet janë rritur gjatë muajit shtator 2026. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë një ndryshim të madh në raport me muajin gusht.
Gjatë shtatorit janë regjistruar 1,215 martesa, krahasuar me 1,943 në gusht. Kjo do të thotë se brenda vetëm një muaji janë regjistruar 728 martesa më pak, ose një rënie prej 37.5%.
Ndërkohë, numri i divorceve ka shënuar rritje të fortë. Nga 97 shkurorëzime në gusht, gjatë shtatorit janë regjistruar 151 raste, që përbën një rritje prej 55.7%.
Këto shifra tregojnë se gjatë shtatorit më pak çifte kanë vendosur të kurorëzojnë dashurinë, ndërsa më shumë i kanë dhënë fund martesës. Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo prirje do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.
Po ju, pse mendoni se çiftet në Kosovë po divorcohen gjithnjë e më shumë?

