Gjatë dhjetë muajve të këtij viti, numri i viktimave në trafik është ulur ndjeshëm dhe deri më tani ky numër arrin në 84 persona, që është për 33 më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke u shprehut i kënaqur me uljen e numrit të viktimave, por se do të ndërmerren masa që numri i të vdekurve në komunikacion të ulet edhe më shumë. Ai tha se është e njohur për të gjithë se shoferët kanë kujdes vetëm në zonat ku funksionon sistemi “Safe City”, prandaj paralajmëroi se edhe automjetet policore do të kontrollojnë shkeljet në komunikacion.
“Në të ardhmen, për shkak se tani i kemi mësuar vendndodhjet e kamerave dhe e dimë se aty ku ka kamera vozisim ashtu siç duhet, ndërsa aty ku nuk ka kamera, përsëri kemi një mënyrë tjetër të drejtimit të automjetit. Në të ardhmen, një numër i madh, nuk do të them që në fillim se sa, por një numër i madh i automjeteve policore që i ka në dispozicion Ministria e Punëve të Brendshme, njëkohësisht do të jenë edhe pajisje me të cilat do të mund të konstatohen disa shkelje. Edhe automjetet e policisë civile”, tha Toshkovski
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se në shkolla do të vendosen programe edukative përmes të cilave fëmijët do të mësojnë se si të sillen në mënyrë të sigurt në komunikacion. Megjithatë, ajo theksoi se familja ka një rol të rëndësishëm.
“Në shkolla kemi tema, siç thashë, në disa lëndë përmes të cilave i edukojmë fëmijët, si në aktivitetet mësimore ashtu edhe në ato jashtë-mësimore, përkatësisht në aktivitete të ndryshme, por do të doja të theksoja se as familja nuk duhet të përjashtohet nga ky aktivitet, sepse ajo është mënyra e parë dhe e vetme për të parandaluar diçka për të cilën më pas mund të pendohemi”, tha Janevska
Sistemi “Safe City” u vendos në funksion në shkurt të këtij viti, ndërsa më pas u miratuan edhe ndryshime lidhur me drejtimin e trotinetëve, me të cilat u vendos ndalesë për drejtimin e tyre nga të miturit, u kufizua shpejtësia e lëvizjes dhe mbajtja e helmetës u bë e detyrueshme.

