Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka shprehur të martën dyshime nëse ekipi amerikan ka vepruar si ndërmjetës i paanshëm, ndërsa ka këmbëngulr se Ukraina ka treguar më shumë gatishmëri për paqe se kushdo tjetër.
“Megjithëse negociatorët amerikanë janë përpjekur ta shtyjnë Ukrainën drejt dorëzimit prej një viti e gjysmë, arsyeja pse Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putinit është se Evropa e ka mbështetur atë”, tha Kallas.
“Ukraina dëshiron paqe më shumë se kushdo tjetër, sepse prej katër vjetësh po përballet me bombardime”, u ka thënë ajo ligjvënësve të BE-së në Strasburg të Francës.
“E vetmja që nuk dëshiron paqe është Rusia”, ka shtuar Kallas.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pasur me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff në Oslo të Norvegjisë të martën.
Witkoff raportohet se të mërkurën ka mbërritur në Rusi, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në përpjekjet për të arritur fundin e luftës në Ukrainë.

