Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien, kritikoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump për marrëveshjen me Moskën për shitjen e naftës dizel ruse dhe thirrjen e tij që Ukraina të zgjedhë një president të ri.
“Për disa litra naftë dizel. Çfarë falimentimi moral!”, shkroi Prien në platformën X.
Trump deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte pasur disa mundësi për t’i dhënë fund luftës, por nuk i kishte shfrytëzuar, duke shtuar se Ukraina kishte nevojë për një president të ri. Ai gjithashtu e fajësoi Kievin për mungesën e naftës dizel, për shkak të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Marrëveshja mes Uashingtonit dhe Moskës synon të lejojë shitjen e dizelit rus në tregjet botërore për të rritur ofertën dhe për të ulur çmimet e karburanteve. Për këtë qëllim, SHBA-ja planifikon lehtësimin e disa sanksioneve ndaj produkteve ruse të naftës.
Zelensky e kundërshtoi ashpër këtë vendim, duke paralajmëruar se lejimi i shitjes së produkteve ruse të naftës do të ishte “investim në luftë”, në vend që të kontribuonte në përfundimin e saj.
Ndërkohë, Berlini konfirmoi se mbetet i përkushtuar ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe se po bashkëpunon me partnerët evropianë për masa të tjera. Edhe Bashkimi Evropian vazhdon të zbatojë kufizimet ndaj sektorit energjetik rus.
Polemikat shtohen edhe për çështjen e zgjedhjeve në Ukrainë. Sipas agjencisë gjermane DPA, Kushtetuta ukrainase nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës, e cila vazhdon që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022.

