Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të arrinte një marrëveshje me Rusinë për karburantin dizel, pasi homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpërfilli të paktën gjashtë kërkesa amerikane për të ndalur sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Këtë e ka bërë të ditur për Axios një zyrtar amerikan me njohuri të drejtpërdrejta mbi zhvillimet, sipas të cilit vendimi i Trump ka shkaktuar një krizë të re me Ukrainën dhe rrezikon përpjekjet e administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës.
“Zelensky po e lexon gabim situatën. Duke vazhduar të godasë rafineritë, ai po minon vullnetin e mirë që ka ndërtuar me Trump gjatë gjashtë muajve të fundit”, deklaroi zyrtari.
Sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse gjatë muajve të fundit kanë rezultuar veçanërisht efektive, duke shkaktuar një krizë energjetike në Rusi.
Moska reagoi duke ndaluar eksportet e dizelit, çka shtoi presionin mbi tregjet globale, tashmë të rënduara nga lufta në Iran.
Zelensky kishte propozuar ndërprerjen e sulmeve ndaj rafinerive ruse në këmbim të ndalimit të bombardimeve ruse ndaj centraleve energjetike ukrainase.
Megjithatë, sipas zyrtarit amerikan, Trump kërkonte që Ukraina t’i ndërpriste sulmet në mënyrë të njëanshme, pasi ato po ndikonin në rritjen e çmimeve të karburantit në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë tetë orëve negociata në Miami, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner informuan delegacionin ukrainas se Trump pritej të bisedonte me Putinin dhe të hiqte sanksionet ndaj eksporteve ruse të dizelit.
Një zyrtar ukrainas pretendoi se negociatorët amerikanë kishin kërcënuar me ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Kievin, nëse sulmet vazhdonin. Pala amerikane e mohoi këtë pretendim.
“Sulmet ndaj rafinerive shkaktojnë dëme në Rusi, por shkaktojnë dëme edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha zyrtari amerikan.
Pavarësisht përplasjes, negociatat në Miami përfshinë diskutime mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, zgjidhjet territoriale, financimin e rindërtimit, forcimin e ushtrisë ukrainase dhe një udhërrëfyes për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
U diskutua gjithashtu mundësia e krijimit të një arkitekture të re sigurie ndërmjet Evropës dhe Rusisë pas përfundimit të luftës.
Witkoff dhe Kushner po shqyrtojnë mundësinë e vizitave në Moskë dhe Kiev javën e ardhshme, megjithëse tensionet e fundit mund të ndikojnë në këto plane.

