Gazetari Destan Jonuzi kritikon përpjekjet e BDI-së dhe AKI-së për ta bërë VLEN-in përgjegjës për një fitore të mundshme të VMRO-DPMNE-së në Bërvenicë, pa u mbajtur ende votimi. Sipas tij, pretendimet e tilla ngjajnë më shumë me propagandë partiake sesa me analizë serioze.
Jonuzi kundërshton pretendimet se votuesit e VLEN-it do ta mbështesin automatikisht VMRO-DPMNE-në në raundin e dytë, duke theksuar se elektorati shqiptar nuk mund të trajtohet si pronë e partive politike.
“Votuesit nuk janë pronë e as BDI-së, as AKI-së dhe as VLEN-it. AKI-ja nuk mund ta trajtojë elektoratin shqiptar sikur ai duhet të rreshtohet pas saj vetëm sepse kështu i leverdis kalkulimi partiak”, thekson Jonuzi.
Ai kundërshton edhe përdorimin e rasteve të mëparshme zgjedhore, përfshirë atë të Haqim Ramadanit dhe rezultatin në Butel, për të parashikuar zhvillimet në Bërvenicë. Sipas tij, çdo komunë dhe proces zgjedhor ka rrethanat e veta, ndërsa pretendimet për përdorimin e mekanizmave shtetërorë, ndikimeve apo parave për sigurimin e votave duhet të mbështeten me prova konkrete.
“Bërvenica nuk është pronë politike e BDI-së dhe as test që AKI-ja ka të drejtë ta interpretojë sipas interesit të saj. Vota u takon qytetarëve, ndërsa asnjë parti nuk mund ta shpallë veten përfaqësuese të vetme të shqiptarëve dhe t’i fajësojë të tjerët për çdo rezultat që nuk i përshtatet”, përfundon Jonuzi.

