Debati për përplasjen mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares Klodiana Lala ka ndezur studion e emisionit “Opinion”, ku diskutimi degjeneroi në replika të forta mes Lalës, analistit Albatros Rexhaj dhe moderatorit Blendi Fevziu.
Përplasja nisi pasi Rexhaj ngriti pyetjen se përse publiku duhet t’i besojë versionit të gazetares dhe jo atij të Vlora Hysenit.
“Pse duhet me të besu ty dhe jo Vlorës?!”, e pyeti ai.
Lala iu përgjigj duke theksuar se Hyseni është nën hetim nga SPAK, ndërsa ajo jo, dhe më pas i kujtoi Rexhajt edhe incidentin e mëparshëm me Berat Buzhalën.
“Ti meriton të ta bëj si Berati, po unë nuk i ndyj duart me ty”, tha Lala.
Debati u tensionua më tej kur Rexhaj iu drejtua Blendi Fevziut me “ti”, duke e akuzuar se kishte “normalizuar” një situatë të mëparshme.
“Mua mos m’u drejto me ‘ti’, se ndryshe del përjashta”, reagoi Fevziu.
Rexhaj vijoi me replikën: “Ti e normalizove të rrafmen, ti”.
Në atë moment, Fevziu ndërhyri përsëri:
“Nëse ke prova, rri, ose ndryshe çohu dhe ik.”
Debati u zhvillua në kuadër të diskutimeve për deklaratat e bëra nga Vlora Hyseni ndaj Klodiana Lalës në hyrje të GJKKO-së, të cilat gazetarja i ka cilësuar si kërcënuese dhe shpifëse.
Lala ka bërë të ditur se avokati i saj po përgatit kallëzim penal në SPAK, ndërsa është shprehur se do të vazhdojë raportimin mbi çështjen.

