ANALIZË: Psikologjia politike e glorifikimit të kriminelit
KUR KRIMINELI BËHET HERO: ÇFARË TREGON VAJTIMI PËR
KASAPIN E BALLKANIT- RATKO MLLADIQIN NË MAQEDONINË E VERIUT?
Kumanovë, 28 gusht LL. ZENUNI
Vdekja e Ratko Mlladiqit nuk solli vetëm reagime në Serbi dhe Bosnjë.
Në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, mes komenteve në gjuhën maqedonase, arrita të edhe një fenomen që meriton më shumë se një ngritje vetullash: njerëz që e vajtojnë e madhërojnë dhe e përcjellin me epitete që zakonisht u rezervohen heronjve.
Dhe këtu lind një pyetje shumë më interesante sesa vetë Mlladiqi: Çfarë e bën një maqedonas të identifikohet emocionalisht me një kriminel lufte serb?
Ratko Mlladiqi nuk vdiq si një gjeneral.
Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, i dënuar përfundimisht për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në Srebrenicë.
Sarajeva jetoi për vite nën terrorin e artilerisë dhe snajperëve.
Pra, këtu nuk diskutojmë nëse dikujt “i pëlqen apo jo” Mlladiqi.
Krimet e tij nuk janë çështje shijesh politike por janë pjesë e një rekordi gjyqësor dhe historik.
Megjithatë, për një pjesë të opinionit maqedonas, duket sikur Mlladiqi nuk perceptohet si individi që u dënua për këto krime.
Ai perceptohet përmes një identiteti tjetër: serb, sllav, ortodoks, ushtarak, anti-NATO dhe simbol i rezistencës ndaj një “armiku” të perceptuar të përbashkët.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi!
Afërsia maqedono-serbe nuk ka lindur dje. Dekadat e jetës së përbashkët në Jugosllavi kanë lënë gjurmë të thella kulturore.
Gjenerata të tëra në Maqedoni janë rritur me televizionin, muzikën, kinematografinë dhe hapësirën kulturore serbe. Kësaj i shtohen afërsia gjuhësore, sllavizmi dhe ortodoksia.
Por ekziston edhe një element më i pakëndshëm për t’u pranuar.
Një pjesë e nacionalizmit maqedonas e sheh Serbinë si aleate natyrore sepse mendon se të dy popujt kanë një “kundërshtar të përbashkët”: shqiptarët.
Serbia ka Kosovën ndërsa Maqedonia ka traumën e luftës të vitit 2001 dhe një raport ende të komplikuar me karakterin multietnik të shtetit dhe kështu krijohet një lloj solidariteti negativ: nuk bashkohemi domosdoshmërisht nga ajo që duam, por nga ai që mendojmë se duhet ta urrejmë.
Në këtë matricë mendimi, boshnjaku mysliman, shqiptari, turku, NATO-ja dhe “Perëndimi” përfundojnë shpesh në të njëjtën kuti imagjinare. Ndërsa Mlladiqi shndërrohet nga kriminel i dënuar në simbol të “burrit sllav e ortodoks që nuk u përkul”. Kjo nuk është më histori! Është psikologji grupore.
Sepse njeriu që glorifikon një kriminel lufte rrallëherë i thotë vetes: “Unë admiroj vrasjen e civilëve.”
Mendja ndërton një mekanizëm shumë më komod. Fillimisht mohon: “Nuk kanë qenë aq viktima.”
Pastaj relativizon: “Edhe të tjerët kanë vrarë.” Pastaj justifikon: “Ishte luftë.
” Më pas viktimizon autorin: “Haga ishte kundër serbëve.” Dhe në fund e heroizon: “Ai vetëm mbrojti popullin e vet.” Në pesë hapa, krimineli është pastruar moralisht dhe viktima është zhdukur nga fotografia.
Kjo quhet identifikim me grupin: kur përkatësia etnike, fetare apo politike bëhet aq e fuqishme, sa njeriu është i gatshëm të negociojë edhe me faktet për të mbrojtur figurën që percepton si “tonën”.
Prandaj fenomeni që po shohim në një pjesë të hapësirës maqedonase nuk duhet kaluar thjesht si folklor interneti.
Ai tregon diçka më të thellë dhe më shqetësuese për një segment të kësaj shoqërie: aftësinë për ta matur krimin jo sipas asaj që është bërë, por sipas asaj se kush e ka bërë dhe kundër kujt është bërë.
Nëse vrasësi perceptohet si pjesëtar i kampit “tonë”, ai mund të bëhet hero. Nëse viktima perceptohet si pjesëtare e kampit “tjetër”, vuajtja e saj bëhet statistikë.
Dhe këtu duhet vendosur vija e kuqe! Sepse mund ta duash Serbinë.
Mund të ndihesh afër kulturës serbe. Mund të jesh ortodoks, sllav, jugonostalgjik, anti-NATO apo çfarëdo tjetër.
Por asnjëra prej tyre nuk të obligon të admirosh Ratko Mlladiqin! Përkundrazi, një shoqëri e pjekur duhet të jetë në gjendje të thotë: krimineli është kriminel edhe kur flet gjuhën time, mban kryqin tim, flamurin tim apo lufton kundër dikujt që unë nuk e dua. Pikërisht këtu matet ndërgjegjja morale e një shoqërie.
Dhe ka edhe një ironi historike.
Një pjesë e nacionalizmit maqedonas sot përqafon me entuziazëm nacionalizmin serb, duke harruar se vetë marrëdhënia e nacionalizmit serb me identitetin maqedonas historikisht nuk ka qenë aspak ajo histori romantike e “vëllazërisë sllavo-ortodokse” që tentohet të shitet sot.
Prandaj pyetja nuk është pse Serbia ka njerëz që e konsiderojnë Mlladiqin hero. Serbia do të duhet ta zhvillojë vetë betejën e saj me të kaluarën.
Pyetja jonë është tjetër: Pse një pjesë e maqedonasve kanë nevojë ta importojnë një kriminel të huaj dhe ta bëjnë hero të vetin?
Ndoshta përgjigjja gjendet më pak te Ratko Mlladiqi dhe më shumë te pasqyra jonë ballkanike: te nacionalizmi i papërpunuar, te frika nga “tjetri”, te solidaritetet e ndërtuara mbi armiq të përbashkët dhe te kultura politike që ende e ngatërron brutalitetin me trimërinë.
Mlladiqi vdiq! Por një shoqëri duhet të shqetësohet shumë më tepër kur zbulon se Mlladiqi si mendësi vazhdon të jetojë. Sepse të vdekurit nuk mund të kryejnë më krime.
Mitet që ndërtojmë rreth tyre, po./Televizioni NEWS

