Bëhet fjalë për një zjarr shumë të rrezikshëm me intensitet të jashtëzakonshëm – paralajmëron zëvendësdrejtori i NP „Pyjet Kombëtare“, i cili apelon që zjarri të vihet nën kontroll para se të afrohet në territorin e Maqedonisë.
Një zjarr i madh që po përhapet në territorin e Serbisë po i afrohet kufirit me Maqedoninë, ndërsa tymi i dendur tashmë është vërejtur mbi Likovë, Haraçinë dhe Kumanovë. Sipas informacioneve të publikuara nga zëvendësdrejtori i NP „Pyjet Kombëtare“, Kire Mihajlov, zjarri po lëviz në drejtim nga fshati serb Trnavë drejt fshatit Strazhë në Komunën e Likovës, mbi pikën kufitare Tabanoc.
– Bëhet fjalë për një zjarr shumë të rrezikshëm me intensitet të jashtëzakonshëm – paralajmëron Mihajlov, i cili apelon që zjarri të vihet nën kontroll para se të afrohet në territorin maqedonas.
Sipas informacioneve të tij, tymi i dendur tashmë ka mbuluar pothuajse të gjithë Komunën e Likovës, pjesë të Komunës së Haraçinës, ndërsa ndihet edhe në Kumanovë.
Situata vjen në një periudhë kur edhe Maqedonia po përballet me një numër të madh zjarresh aktive. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 31 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave tetë kanë mbetur aktive. Zjarre gjatë ditëve të fundit janë regjistruar edhe në rajonin e Likovës, duke rritur më tej shqetësimin në pjesën veriore të vendit.
Ndërkohë, në Serbi janë regjistruar zjarre të mëdha pyjore, ndërsa pamjet nga zjarri në Shkretëtirën e Deliblatit tregojnë sasi të mëdha tymi mbi zonën e përfshirë nga zjarri.
Deri tani nuk ka konfirmim se zjarri e ka kaluar kufirin dhe është përhapur në territorin e Maqedonisë. Megjithatë, tymi i dendur mbi pjesën verilindore të vendit është një tjetër paralajmërim se rreziku nga zjarret mbetet i lartë.

