Ministrja kantonale me rrënjë nga Kosova, Ylfete Fanaj, ka marrë mbështetjen unanime të anëtarëve të Partisë Socialdemokrate (SP) të qytetit të Lucernit për të kandiduar edhe për një mandat në Qeverinë e Kantonit të Lucernit.
Anëtarët e SP-së së qytetit të Lucernit kanë nominuar njëzëri Ylfete Fanajn për rizgjedhje në zgjedhjet për Qeverinë kantonale të vitit 2027.
Vendimi është marrë në kuadër të procesit të nominimit brenda partisë. Nominimi përfundimtar i Fanajt do të vendoset nga kongresi i jashtëzakonshëm i SP-së së Kantonit të Lucernit, i cili do të mbahet më 24 shtator 2026.
Fanaj kishte bërë të ditur më herët se synon një mandat të dytë në ekzekutivin kantonal. Ajo aktualisht drejton Departamentin e Drejtësisë dhe Sigurisë të Kantonit të Lucernit.
Ylfete Fanaj është një nga politikanet me prejardhje shqiptare që ka arritur pozitat më të larta politike në Zvicër. Me rrënjë nga Kosova, ajo ka një karrierë të gjatë politike në Lucern dhe ka qenë gruaja e parë me prejardhje kosovare e zgjedhur në një parlament kantonal në Zvicër.
Në vitin 2023, Fanaj u zgjodh anëtare e Qeverisë së Kantonit të Lucernit, duke marrë drejtimin e Departamentit të Drejtësisë dhe Sigurisë.
Në njoftimin e saj, SP Luzern ka bërë të ditur se anëtarët e SP-së së qytetit të Lucernit kanë marrë gjithashtu qëndrim për votimet komunale të 27 shtatorit 2026. Ata kanë rekomanduar votën “Po” për ruajtjen e pagës minimale dhe për uljen e tarifës zëvendësuese të zjarrfikësve.
Partia ka njoftuar gjithashtu se po përgatit një iniciativë në nivel të qytetit kundër të ashtuquajturave Business Apartments, me synimin që banesat të ruhen për popullsinë e Lucernit dhe të kufizohet përdorimi i tyre për qiradhënie komerciale afatshkurtër.

