Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nënkryetari Ardian Gola dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë, bëri sot homazhe në Qirez dhe Likoshan për të nderuar martirët dhe dëshmorët në 28-vjetorin e masakrës së parë të luftës së fundit në Kosovë.
Kurti pasi vendosi kurora me lule, tha se në këtë dy fshatra, pikërisht 28 vjet më parë janë vrarë 20 martirë.
“Kjo ishte masakra e parë e luftës së fundit, e cila asokohe ndodhi midis dy sulmeve ndaj familjes Jashari në Prekaz. Sulmit të parë me, më falni, sulmit të dytë me 22 janar dhe sulmit të tretë me 5 mars. Në mes të këtyre ishte masakra e Qirezit dhe Likoshanit me datën 28 shkurt, kur u vranë 26 martirë. Në mesin e tyre ishte edhe gruaja shtatzënë në muajin e shtatë, Rukije Nebihu, 27 vjeçare, e cila në prehër e kishte vajzën tre vjeç që e takuam sot këtu. Por u vranë shumë të familjes Ahmeti, Sejdiu, pastaj Behrami, Fazliu, Rama, dhe katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve Rexhepi dhe Gjeli, në një përballje të pabarabartë me forcat e Serbisë, të cilët për 28 orë kanë goditur, kanë shtënë me artileri të rëndë, kanë pasur autoblinda dhe helikopter.


