Nikolloski: Kanë nisur aktivitetet për ndërtimin e pesë tuneleve, ndërsa pronarët e tokave do të kompensohen sipas çmimeve të tregut.
Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë është nënshkruar në vlerë prej 191 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore në terren janë përfunduar dhe kanë nisur aktivitetet për ndërtimin e pesë tuneleve përgjatë трасës, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në përgjigje të pyetjes parlamentare të Ilir Hasanit nga Fronti Evropian.
Nikolloski sqaroi se 191 milionë euro është vlera e kontratës për realizimin e punimeve, ndërsa shumat më të larta që përmenden në publik përfshijnë edhe shpenzimet për mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe 15 për qind mjete të paparashikuara, në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Sipas tij, kjo nuk do të thotë se këto mjete do të shpenzohen patjetër.
Ai tha se krahasimet me segmentin e mëparshëm prej dy kilometrash nuk janë të përshtatshme, për shkak të rritjes së çmimeve në sektorin e ndërtimit pas krizës së pandemisë dhe krizës energjetike.
Ministri theksoi se kompania konsulente franceze „Safège-Suez“, e angazhuar në projekt, më herët kishte vlerësuar se ndërtimi i autostradës do të kushtonte rreth 260 milionë euro, ndërsa kontrata aktuale është dukshëm më e ulët.
Kompensimi për tokën nga 50 deri në 100 euro për metër katror
Sa i përket eksproprijimit, Nikolloski bëri të ditur se pronarët e tokave do të kompensohen me çmime të tregut, të cilat, varësisht nga kategorija e tokës, do të lëvizin nga 50 deri në 100 euro për metër katror.
Sipas tij, autostrada Shkup–Bllacë ka rëndësi të madhe rajonale dhe ekonomike, pasi do të mundësojë lidhje më të mirë të vendit me Kosovën, Malin e Zi dhe portet e Selanikut, Durrësit dhe Barit.
„Kjo autostradë nënkupton hapjen e shtetit drejt tri porteve. Ne tashmë jemi të lidhur me portin e Selanikut, po punojmë intensivisht për hapjen drejt portit të Durrësit, ndërsa me këtë projekt hapemi edhe drejt portit të Barit, gjë që është shumë e rëndësishme për ekonominë tonë“, deklaroi Nikolloski.

