Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, i është përgjigjur ashpër deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Izet Mexhitit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“E dëgjova dje deklaratën e orkestruar dhe të koordinuar të përfaqësuesve qeveritarë, të cilët thonë se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, dhe kjo është së pari shenjë frike, paniku dhe përpjekje për të përdorur instrumentet e fundit për t’i frikësuar njerëzit, duke u thënë: ja, ne do të mbetemi në qeveri dhe do të keni probleme nëse nuk votoni për ne. Së pari, kryeministri i di anketat, i ka bërë vetë para dy javësh, dhe e di se raporti i forcave është 3 me 1”.
Kjo, sipas tij, është shenjë frike, paniku dhe përpjekje për t’i frikësuar qytetarët duke u thënë se ata do të mbeten në qeveri dhe se njerëzit do të kenë probleme nëse nuk i votojnë.
“Kjo nuk do të kalojë!”, u përgjigj Osmani në pyetjen e gazetarët.
“Mirëpo, ajo që më pengon është fakti që kryeministri vazhdon të japë mesazhe kontradiktore, të dyfishta. Një për opinionin publik, të tjera përmes ndërmjetësuesve që na i dërgon neve, me mesazhin se pas zgjedhjeve duhet të bëhet rekonstruksion i qeverisë. Ne i përgjigjemi si përmes ndërmjetësuesve, ashtu edhe publikisht, se shqiptarët nuk janë monedhë për pazare dhe se kryeministri ngadalë po e kalon vijën e kuqe”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, deklaratat e kryeministrit për zgjedhjet kanë prekur nervin më të ndjeshëm të shqiptarëve.
“Nuk ka fyerje më të madhe sesa t’i thuash popullit shqiptar: disa do t’i marr, disa do t’i lë. Nuk e di nëse ai e bën me vetëdije apo nuk është i vetëdijshëm se cilin nerv prek tek shqiptarët. Por mendoj se ai tashmë po e kalon vijën e kuqe. Një fyerje e tillë, që nga zyra e tij kryeministri do të marrë disa shqiptarë e do të largojë disa të tjerë, tashmë ka prekur në thelb revoltën dhe dinjitetin e njerëzve. Njerëzit mund t’i diskriminoni për çfarëdo arsye. Mos e prekni dinjitetin e tyre<span;>”, tha Osmani ndërsa paralajmëroi se në Çair dhe në gjithë vendin po lind një lëvizje popullore e rezistencës.
“Sepse tashmë, unë e shoh, frustrimi po rritet. Dhe prandaj në Çair, ajo që po ndodh, dhe jo vetëm në Çair, po bëhet një lëvizje popullore e përgjithshme e rezistencës. Dhe kjo rezistencë është ndaj tij dhe ndaj këtij dinjiteti të fyer. Askush nuk do të lejojë që disa shqiptarë të merren e disa të lihen. Ne ia kemi thënë: menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, fituesit te shqiptarët do të ulen dhe do të bisedojnë. Askush nuk do t’i marrë, sepse kjo nuk është qeveri e askujt, kjo nuk është shtet i askujt, ky është shteti ynë dhe qeveria jonë. Dhe ne do të ulemi dhe do të bisedojmë për bashkëqeverisje me qëllim që të zhbllokohen proceset e Bashkimit Evropian, të kthehet jeta dhe të kthehet prosperiteti ekonomik<span;>”, tha Osmani.

