Avokatët e kryetarit të burgosur të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkojnë që ai të mbrohet si çdo qytetar. Në një reagim në Facebook thuhet se SPAK refuzon t’i vendosë në dispozicion klientit të tyre një kopje fizike të akteve e të fashikujve të dosjes.
“Ai e ka bërë këtë kërkesë për të pasur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.”
Mbrojtësit e Veliajt thonë se SPAK nuk e lejon kryetarin e Bashkisë të takohet me avokatët e tij ndërkombëtarë, ndaj pretendojnë se organi hetimor po shkel ligjin.
“Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”.
Erion Veliaj dyshohet se ka kryer korrupsion të paktën 9 herë në bashkëpunim me gruan e tij dhe disa biznesmenë. Po ashtu, çifti dyshohet se ka kryer edhe pastrim parash e fshehje të tyre. Të dy i mohojnë akuzat si të pabaza e të ndikuara politikisht. Dosja 60 mijë faqe u mbyll në korrik, ndërsa në 29 shtator pritet të jepet vendimi nëse ajo do të kalojë apo jo në gjykim, një vendim ky që i takon Gjykatës Antikorrupsion.

