Importi i makinave mund të lirohet ndjeshëm nëse Kuvendi miraton ndryshimet e propozuara në Ligjin për tatimin e automjeteve motorike. Deputeti i pavarur Mile Cekov ka dorëzuar në Kuvend një projektligj me të cilin kërkon uljen e taksave për importin e makinave, përmes heqjes së dy prej pagesave ekzistuese, përcjell INA.
Me ndryshimet e propozuara parashikohet heqja e komponentit të vlerës, i njohur si tatimi i luksit, për makinat me vlerë deri në 20.000 euro. Masa e dytë ka të bëjë me heqjen e taksës së CO₂ për automjetet që përmbushin standardin ekologjik EURO 6 ose më të lartë.
Sipas arsyetimit të propozimit, nëse këto ndryshime miratohen, për një makinë me vlerë prej 15.000 eurosh dhe standard EURO 6, taksat e importit dhe doganimi do të uleshin nga 6.000 deri në 7.000 euro sa janë tani, në rreth 2.700 euro. Propozimi vlen si për makinat e reja, ashtu edhe për ato të përdorura që importohen në vend.
Si argument për këto ndryshime, propozuesi thekson se taksat e importit në Maqedoni janë shumë më të larta krahasuar me vendet e rajonit. Për një makinë me vlerë 15.000 euro, taksat në Shqipëri janë rreth 3.000 euro, në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi rreth 3.500 euro, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 2.550 euro.
Në propozim vihen në dukje edhe problemet gjatë procedurave doganore. Sipas Cekovit, ndodh që një makinë e blerë për 15.000 euro të vlerësohet në 19.000 euro, e në disa raste të mos njihet as certifikata EUR.1, gjë që u krijon qytetarëve shpenzime shtesë përmes doganës, tatimit të luksit, taksës së CO₂ dhe TVSH-së.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është lehtësimi i barrës financiare për qytetarët, mundësimi i qasjes më të lehtë në makina më të reja dhe përtëritja e parkut automjeteve në vend. Projektligji tani duhet të kalojë në procedurë kuvendore, pas së cilës do të dihet nëse këto masa do të pranohen dhe në çfarë forme.(INA)

