Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke kujtuar përpjekjet dhe organizimin e shqiptarëve për arritjen e këtij akti historik.
Në mesazhin e tij, Kurti ka sjellë në vëmendje një aspekt të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, atë të qindra telegrameve që u dërguan në qytete të ndryshme shqiptare para ngritjes së flamurit.
Ai ka përmendur telegramin e Ismail Qemalit nga Vjena, më 9 nëntor 1912, me mesazhin: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.”
Kurti ka rikujtuar edhe komunikimet e tjera mes qyteteve shqiptare, përmes të cilave u organizuan përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë, si dhe kontributin e figurave të rëndësishme të asaj kohe.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se Pavarësia nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme ndër breza, i sakrificës dhe i bashkimit të shqiptarëve.
“…Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut…” – shkroi mes tjerash ai.
Përmes këtij mesazhi, Kurti ka vënë në pah rëndësinë historike të 28 Nëntorit dhe përpjekjet e shumë brezave që çuan drejt krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

